Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News foli për bashkimin e Gazment Bardhit me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Sipas analistit Nazarko një bashkim i tillë ka mund të ketë ardhur edhe si pasojë e frikës së mungesës së një logoje për të garuar në zgjedhje.
“Ndoshta parashikojnë zgjedhje të parakohshme dhe frika se nuk ka një logo që të mund të garojë e ka shtyrë drejt Berishës”, tha Nazarko.
Gjithashtu Nazarko theksoi se me këtë bashkim tentuan edhe t’i japin një goditje përfundimtare grupit të Bashës.
“Përfshirja e Bardhit me Foltoren mendoj që është bërë edhe nga vajtja e Tabakut dhe shpalljes së saj si e privilegjuar e amerikanëve. Me këtë bashkim tentojnë t’i japin goditje përfundimtare grupit të Bashës sepse edhe ajo është një masë ndëshkuese dhe reagimi i dëshpëruar përballë fuqizimit të Tabakut, por meqë në foto është edhe Yuri Kim, mendoj që zgjedhje e vizitës tek SPAK është ide e zonjës Yuri Kim. Përveçse ajo e konsideron SPAK si një investim apo sukses personal të saj në karrierën e saj, dhe është një bashkëpunëtore e ngushtë e Blinken. Le ta pranojmë që ardhja e Blinken kur Rama është në fund të mandatit të tretë është një dhuratë e madhe për Ramën. Sa kohë që SPAK po godet djathtas dhe majtas ky qëndrim i Yuri Kim është njëlloj qershizë e hidhur”, tha Nazarko.
Nga ana e tij Dritan Hoti theksoi se si Berisha po ashtu edhe kreu i PD Lulzim Basha kanë marrë peng tërësinë e elektoratit të Partisë Demokratike.
“Edhe Berisha dhe Basha kanë marrë peng tërësinë e elektoratit të PD që është një element shumë konstruktiv për shoqërinë”, tha më tej Hoti.