MENU
klinika

E kishte varrosur në oborrin e shtëpisë

Horror në Durrës! 19-vjeçarja vret babain

23.02.2024 - 11:05

Një 19-vjeçare ka vrarë me armë zjarri babanë e saj dhe e ka varrosur në oborrin e shtëpisë. E reja ka deklaruar në polici se i ati e ka detyruar që të fejohet pa dëshirën e saj.

Vrasja ka ndodhur më datë 13 shkurt, dhe 50-vjeçari Pëllumb Meta ka qenë i varrosur për 10 ditë në oborrin e banesës. Ka qenë një denoncim i djalit se ka humbur kontaktet me babanë që u zbulua ngjarja e rëndë.

Policia ka arrestuar 19-vjeçaren Hygerta Meta.

“Familjarët e kallëzuan të humbur 50-vjeçarin, Policia, pas 10 ditësh kërkime dhe hetime intensive, zbardh ngjarjen. Falë veprimeve të shpejta profesionale, Policia gjen trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij.

Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj.

Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur. Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit P. M. është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njofitmin e policisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E kishte varrosur në oborrin e shtëpisë

Horror në Durrës! 19-vjeçarja vret babain