MENU
klinika

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”

Nis magjia festive e Karnavaleve, Shkodra tre ditë në festë

23.02.2024 - 13:29

Kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotëron sot në qytetin e Shkodrës për karnavalet.

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” kanë nisur ditën e sotme në kryeqendrën e veriut.

Sot më 23 shkurt, karnavalet kanë nisur pikërisht me paradën e fëmijëve.

Pastaj të gjitha shkollat do të mblidhen në një vend të përbashkët ku njëra pas tjetrës do të ngjisin në skenë edhe shfaqjet e tyre, duke çelur kështu siparin e festimeve.

Çdo shkollë do paraqitet me temat respektive, duke u fokusuar në fusha të ndryshme si arti, teknologjia, mbrojtja e mjedisit, etj. Në fund një juri do të vlerësojë dhe shfaqjen më të mirë. Por dita e parë nuk do të ketë vetëm kaq. Do të ketë edhe dy kënde puntorie, si ai i kllounatave dhe i punimit të maskave e do të kulmojë me një shfaqje dritash, ose lightshow.

Dita e dytë e “Karnavaleve të Shkodrës” do t’u dedikohet të rinjve.

Parashikohet që çdo gjimnaz të ngjitet në skenë me një shfaqje, në bazë të minutazhit të caktuar nga grupi organizativ dhe sigurisht, në fund të shfaqjeve, njëra më e bukur se tjetra, do të shpallet një fitues. Përveç shfaqjeve të të rinjve do të mbahen edhe tre puntori, si ajo e kllounatave, e punimit të maskave dhe e makeup artist-ëve. Parada e çifteve me kostume e maska veneciane do të pasohet nga një lightshow dhe një koncert surprizë.

Kështu mbyllet dita e dytë për t’ia lënë vendin ditës së tretë e finale, që do të jetë edhe ajo e spektaklit të vërtetë, ku do të ketë parada, muzikë, bejte, artistë të mirënjohur dhe elemente unike, si djegia e dordolecit në mbyllje të ditës. Do të performojnë artiste si Rezarta Smaja, Ketlin Pjalmi, Martina Serreqi apo Savjana Vjerdha. Në 17:15 do të nisë marshimi drejt dordolecit, i cili do të pasohet nga një dragon show dhe djegia e dordolecit. Ndërkohë, në të treja mbrëmjet do të ketë festime në mbi tridhjetë bare, restorante e hotele.

“Karnavalet e Shkodrës” janë gati t’ju dhurojnë një nga përvojat më të paharrueshme këtë vit, duke i kthyer kështu shkëlqimin e merituar qytetit. Shkodra është gati. Po ti, a je gati? Rrëmbe maskën tënde dhe #gzonëshkodër!