MENU
klinika

"Vonesa ka tensionuar marrëdhëniet me SHBA"

Orban tregon se kur Suedia do i bashkohet NATO-s

18.02.2024 - 10:00

Parlamenti hungarez mund të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Suedisë në NATO, kur të fillojë punimet për sesionin e pranverës më vonë këtë muaj, u tha të shtunën mbështetësve të tij kryeministri Viktor Orban.

“Është lajm i mirë që mosmarrëveshja jonë me Suedinë do të zgjidhet së shpejti”, tha zoti Orban. “Po ndërmarrim hapa që me fillimin e sesionit pranveror të parlamentit mund të ratifikojmë anëtarësimin e Suedisë në NATO”.

Parlamenti rimblidhet në 26 shkurt. Suedia aplikoi për anëtarësimin në NATO gati dy vite më parë, duke bërë kështu një ndryshim historik të politikave, për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Zoti Orban tha se së bashku me kryeministrin suedez Ulf Kristersson kanë ndëmarrë hapa për “të rindërtuar besimin” mes dy vendeve. Zoti Orban nuk tha se cilat ishin këto hapa.

Hungaria është i vetmi vend i NATO-s që nuk ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë, një proces për të cilin duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Vonesa ka tensionuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe ka krijuar shqetësim mes vendeve aleate.

Partia në pushtet e zotit Orban, Fidesz, ka përmendur ato që i quan akuza të pabaza të Suedisë se ka dëmtuar demokracinë në Hungari, si arsyen përse është shtyrë ratifikimi.

Gjatë javës së fundit, kryeministri Orban është përballur me një periudhë tepër sfiduese për qeverisjen e tij 14-vjeçare, për shkak të faljes së dhënë nga presidentja e vendit për një person që pati ndihmuar për të mbuluar abuzimin seksual në një shtëpi fëmijësh. Skandali solli dorëheqjen e presidentes së Hungarisë dhe të ish-ministrit të drejtësisë, të dy aleatë kryesorë të zotit Orban. Të premten vonë dhjetëra mijëra persona dolën në protestat e thirrura nga personalitete me ndikim në opinionin publik.

Në deklaratën e tij të parë publike që nga dorëheqja e presidentes një javë më parë, zoti Orban tha se qeverisja e tij do të dilte edhe më e fortë, duke u përqëndruar tek ekonomia dhe zgjedhjet parlamentare të BE-së në qershor, ku pritet rritja e pranisë së forcave të djathta politike dhe “sjellja e ndryshimit në Bruksel”.

Ai tha se dorëheqja e presidentes Katalin Novak ishte “si një makth”, por se ishte veprimi i duhur, duke shtuar se qeveria e tij do të hartojë projektligje për të forcuar mbrojtjen e fëmijëve.

Zoti Orban ka patur përplasje me Komisionin Evropian për shkak të masave të qeverisë së tij kundër lirisë së medias dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ, si dhe për politikat e tij për emigracionin. Ai tha se ky vit mund të sjellë ndryshime në Evropë dhe gjetiu.

“Do të dëshironim shumë që Donald Trump-i të rikthehej si president (i Shteteve të Bashkuara) dhe… të vendosë paqen këtu në gjysmën lindore të Evropës”, tha zoti Orban, një mbështetës i hershëm i zotit Trump./VOA