Patinat elektrike të cilat përdoren në masë të gjerë, shpesh janë burim aksidentesh.
Për këtë arsye është menduar të ndryshohet Kodi Rrugor për të vendosur disa rregulla në përdorimin e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugore po hartojnë një draft projekt sipas të cilit do të vendoset edhe një moshë minimale për përdorimin e tyre.
“Në diskutimet që kemi hasur kërkohet një regjistrim i kësaj kategorie, për të ditur se sa mjete të kësaj kategorie qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë. Diskutohet që mosha minimale të jetë 16 vjeç, por është ende herët sepse janë ekspertët ata që po e studiojnë projekt/draftin dhe do të dalin me konkluzionet përfundimtare”, sqaroi Gerhard Baka, specialist i qarkullimit rrugor.
Ndër të tjera drejtuesit e patinave elektrike do të duhet të përdorin veshje mbrojtëse.
Po ashtu po mendohet që në Kod të përfshihet edhe veshja e jelekut fosforeshent për drejtuesit e tyre.
“Është shumë mirë që përdoruesit e biçikletave dhe këtyre kategorive të jenë të pajisur me pajisje shtesë, siç janë gjunjëzat dhe krahoret, kaska është e detyrueshme të përdoret, shpresojmë të vendosin dhe jelekun fosforeshent”, shtoi Baka në një intervistë për Report Tv.
Prej muajit gusht 2023 kur ka nisur aplikimi i masave administrative për monopatinat elektrike deri më 5 janar 2024, janë vendosur 296 gjoba, duke përfshirë të gjitha shkeljet si: “mos qarkullimi në korsinë e duhur”, “kalimi me semafor të kuq” apo dhe “mosmbajtja e mjeteve mbrojtëse”.
Viti 2023 u mbyll me 48 aksidente që përfshijnë monopatinat elektrike, me 31 të plagosur lehtë dhe 1 viktimë. Të tilla shifra dhe monitorimet e fundit nga Policia Rrugore kanë bërë që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë siç është dhe ndërhyrja në Kodin Rrugor.