MENU
klinika

Takimi me ministrin e Brendshëm

Përfaqësuesi i TikTok në Shqipëri: Nuk tolerojmë asnjë formë dhune

21.02.2024 - 14:11

Rrjetet sociale dhe më konkretisht Tik-Tok është kthyer në problem në vend ku po shohim raste të shtuara të dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve.

Një nga drejtuesit e këtij rrjeti social, Jakub Olek, i cili aktualisht ndodhet në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me të rinj.

Gjatë takimit edhe në prani të ministrit të brendshëm Taulant Balla, Olek ka sqaruar se platforma ka mbi 40 mijë punonjës të angazhuar për sigurinë dhe se në platformë nuk tolerohet asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje apo bullizimi.

“Në platformë nuk duam asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje, bullizmi ose dhunë ndaj grave. Kjo është diçka që nuk ka vend në platformën tonë dhe është hequr nga platforma kur ka përmbajtje të tilla, ose edhe kur përdoruesit krijojnë përmbajtje të tilla, ata do të hiqen nga platforma tërësisht. Ngjarjet e fundit në Shqipëri që kanë qenë shumë të trishtueshme, sigurisht ne i kemi parë me shumë kujdes dhe kemi diskutuar në ekip sesi mund të përmirësojmë platformën”, u shpreh përfaqësuesi i Tik-Tok.

Ndërsa ministri Balla u shpreh se jemi në kohën e duhur për të rritur vigjilencën sa i përket një sërë fenomenesh që ndodhin çdo ditë, që kanë të bëjnë me dhunën online, me shantazhin brenda apo jashtë shkollës.

“E kam shprehur shqetësimin sesi në këtë rrjet ka një gjuhë të pakontrolluar, mesazhet e një gjuhe tërësisht të pahijshme duke shkuar pastaj edhe në promovimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, sikurse mund të jetë edhe përdorimi i lëndëve narkotike. Janë një shqetësim për ne, janë një shqetësim për mua si Ministër i Brendshëm, por më shumë se kaq, janë një shqetësim për mua edhe si një baba i një djali 14-vjeçar, dhe se përgjegjësia ime është njëlloj për të gjithë ju dhe për të gjithë moshatarët tuaj”, nënvizoi ministri i Brendshëm.