MENU
klinika

Adem Demaçi

Përkujtohet patrioti dhe simboli i luftës për liri

26.02.2024 - 13:32

Më 26 shkurt të vitit 1936, lindi në Prishtinë Adem Demaçi, kryesimboli i luftës për liri dhe pavarësi në mesin e bashkëkombasve të Kosovës.

DPA kujton se aktiviteti patriotik i Demaçit, në emër të rezistencës kombëtare, është i pashoq. Demaçi denoncoi faqe botës pa ngurruar padrejtësitë e ushtruara nga regjimi serb në kurriz të popullsisë së shqiptarëve të Kosovës. Në vitin 1958, botoi në dy numra të revistës letrare “Jeta e re”, romanin e tij të titulluar “Gjarprinjtë e gjakut”.

Popullariteti në rritje i Demaçit pas këtij publikimi, vuri në lëvizje agjenturën jugosllave, në instancat e së cilës përgatiteshin dy skenarët përjashtues: përfshirja e shkrimtarit në strukturën e regjimit ose ndëshkimi i tij. Në nëntor të vitit 1958, Demaçi ra në prangat e Policisë së komanduar nga qeveria autoritare e ish-Jugosllavisë, e udhëhequr prej Josip Broz Titos.

Vuajti për tre vjet një dënim nën akuzën e krimit politik dhe propagandës armiqësore. Për motive të përafërta, do të burgosej përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990.

Në vitin 1991, u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Në punimet e Rambujesë, gjatë vjetëve ‘98-‘99, kreu detyrën e zëdhënësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në harkun kohor 2005-2007, qëndroi në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në vitin 2010, në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e ngjeshur me karakter kombëtar, u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2018, në moshën 82-vjeçare.