MENU
klinika

"Ja kush ishte ‘shënjestra’"

Planifikuan vrasjen e të “fortit” në qytetin e Vlorës, identifikohen bashkëpunëtorët

17.02.2024 - 18:30

Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj, është identifikuar nga Policia e Shtetit si personi i cili së bashku me dy shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, porositën dhe organizuan kryerjen e atentatit ndaj Inez Hajrullah në qytetin e Vlorës.

Ky grup kishte kontraktuar shtetasin Amarildo Nikollin për të kryer vrasjen, i cili u arrestua nga policia me armën me silenciator në çantë.

Fillimisht çështja ndaj Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, ndërsa më pas u zbulua se ai ishte kontraktuar kundrejt pagesës për eliminimin e Hajrullah.

Çështja i kaloi më pas SPAK, ku u zbuluan se porositësit dhe bashkëpunëtorët e atentatit.

Shtetasit Muharem Koroveshi, iu komunikua masa e sigurisë në burg, pasi ishte arrestuar nga policia gjatë verës.

Ndërkohë që grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim.

“Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.