MENU
klinika

Shkelin rregullat e qarkullimit

Policia e Shkodrës gjobit këmbësorët

20.02.2024 - 12:01

Policia Vendore e Shkodrës ka nisur gjobitjen e këmbësorëve të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Disa muaj më parë ka hyrë në fuqi Kodi i ri rrugor, i cili parashikon gjoba edhe për këmbësorët që nuk ecin në vijat e bardha, trotuare apo në mbikalime e nënkalime. Shefi i seksionit të trafikut rrugor në policinë e Shkodrës komandant Endrit Neziri thotë se pas sensibilizimit të qytetarëve, tashmë ka nisur ndëshkimi i këmbësorëve sepse shpesh herë kanë qenë burim aksidentesh.

Neziri ka një apel jo vetëm për këmbësorët, por edhe për drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Trafiku rrugor në Shkodër ka një menaxhim të ri shprehet Neziri duke shtuar numrin e efektivëve në rrugët kryesore.

Një shqetësim mbeten edhe mjetet e transportit që lëvizin në qytet për të cilat janë zhvilluar disa takime mes policisë dhe bashkisë Shkodër për zgjidhjen e këtij problemi. Gjobat për këmbësorët në Shkodër kanë nisur që nga gjysma e muajit janar të vendosen dhe deri më tani sipas burimeve pranë policisë së Shkodrës janë afro 150 qytetarë të gjobitur.