MENU
klinika

“Jemi në një fazë tjetër të rrugës drejt BE-së”,

Rama: Së shpejti bashkimi me familjen evropiane do të jetë realitet!

09.02.2024 - 18:13

Kryeministri Edi Rama, duke folur në aktivitetin për energjizimin e administratës publike dhe mirëqeverisjen, deklaroi se horizonti i bashkimit të Shqipërisë me familjen evropiane nuk është më një ëndërr por realitet konkret.

Më tej ai shtoi se ka nisur puna për plotësimin e kritereve të pranimit dhe se gjithçka do të bëhet me standardet e kërkuar nga BE-ja.

“Në një format që për hir të së vërtetës është i pari në këtë lloj në shumë vite dhe përgjigja është më e thjeshtë, sepse jemi në një fazë tjetër të zhvillimi të vendit. Jemi në një fazë tjetër të rrugës sonë për t’u bërë pjesë e bashkësisë evropiane si anëtar me të drejta të plota, në një fazë tjetër të një përpjekjeje që pa asnjë dyshim është historike sepse historike është që më në fund duke u bërë pjesë e BE, Shqipëria të konfirmohet si një shtet demokratik, si një shtet me institucione të forta, me garanci të plota për lirinë dhe të drejtat e të gjithëve, si një shtet i denjë për gjeneratat e tjera.

Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë më parë mundësinë që ka sot, dhe nuk e ka arritur më parë të jetë vendi ku shteti është ai që u jep të gjithë qytetarëve mundësinë që të bashkëjetojnë në një rend ligjor të sigurtë, të mirë qeverisen dhe të gëzojnë lirinë e konkurrencës me të drejtën e meritës. Sot, Shqipëria jo vetëm e ka këtë mundësi teorike çka e ka pasur teorikisht që kur hyri në rrugën e lirisë dhe të kërkimit të bashkimit me familjen evropiane por sot, e ka këtë mundësi reale, praktike, konkrete, një mundësi e prekshme me sy sepse horizonti i bashkimit përfundimtar me familjen evropiane nuk është më një ëndërr, më as një iluzion apo thjesht një ambicie, por është një realitet konkret.

Dhe ajo çka lidh këtë parantezë me ju është se për ta realizuar këtë arritje historike, administrata publike është faktori kyç i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm. Nga sa dhe si administrata do të angazhohet, do të përcaktohet edhe shpejtësia me të cilën Shqipëria do të hyjë në BE. Por mbi të gjitha do të përcaktohet edhe cilësia e jetës demokratike, e institucioneve, e funksionimit tërësor të shtetit dhe me patjetër edhe cilësia e garancive për çdo individ në këtë vend”, u shpreh Rama.