MENU
klinika

“Ata që kërkojnë të kthehen, mafiozët i kërcënojnë për paratë”

Rrugët alternative që gjejnë shqiptarët e deportuar për t’u rikthyer në Angli

07.02.2024 - 14:03

Disa nga emigrantët e paligjshëm, të riatdhesuar pas një vale emigrimi me gomone në vitin 2022, po rikthehen në Angli duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe aeroportet e zonës Shengen.

Blerandi, me origjinë nga një fshat i vogël, malor dhe i largët i Kukësit, emigroi në mënyrë të paligjshme nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone dy vite më parë. Pasi qëndroi për një periudhë në ishull, ai u deportua në shtator 2023 nga autoritetet britanike, por kjo nuk e ndaloi të provonte përsëri të kalonte kanalin e La Manshit nëpërmjet një mjeti lundrues.

“Prej rreth tre muajsh, unë gjendem në Britani, pikërisht në Mançester”, tha ai në një komunikim me BIRN nëpërmjet aplikacionit “Whatsapp”.

Falë një marrëveshje të arritur midis dy vendeve, mijëra e emigrantë shqiptarë që mbërritën në vitin 2022 në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e një vale migracioni nga veriu i Shqipërisë, janë deportuar gjatë muajve të fundit.

Kjo nuk i ka ndaluar disa prej tyre të rikthehen në ishujt britanik duke ndjekur rrugë alternative, por ngjashëm të paligjshme.

Edhe pse vala e emigracionit nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar duket se ka kaluar, sipas e ekspertëve dhe autoriteteve vendore, dëshira për të emigruar mes të rinjve në rajonet verore të Kukësit dhe Hasit mbetet e lartë, pjesërisht e ushqyer nga krimi i organizuar dhe premtimet për pasurim të shpejtë në industrinë e kultivimit të kanabisit.

Jahir Cahani, aktivist i shoqërisë civile në Krumë të Hasit, e krahason emigrimin e paligjshëm në Britani me një lloj skllavërie moderne. Ai theksoi se njerëzit “joshen”, por, kur shkojnë atje, përballen me një realitet krejt tjetër.

“Shumë kërkojnë të kthehen, por mafiozët i kërcënojnë për paratë”, tha ai. “Kanë shitur shtëpi e bagëti, kanë marrë kredi në bankë për të udhëtuar dhe kjo i detyron të rrinë edhe në shtëpitë e barit”, shtoi ai.

Autoritetet shqiptare dhe britanike po punojnë së bashkë për të ndaluar valën e migracionit të paligjshëm, duke kombinuar masat policore me projektet e zhvillimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit.

Edval Zoto, menaxher për rajonin e Kukësit për projektin “Perspektive të reja”, i cili ka për qëllim të kuptojë dhe të adresojë çështjet që i shtyjnë të rinjtë dhe familjet shqiptare të emigrojnë, thotë se ka një rënie të numrit të emigrantëve të paligjshëm që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar nga qarku i Kukësit dhe bashkia e Dibrës.

“Një ndër faktorët është përpjekja e qeverisë britanike për të ndryshuar ligjin për emigracionin ku, në bazë të këtyre ndryshimeve, janë shtuar vështirësitë për të përfituar azil”, tha ai, ndërsa shtoi se një arsye tjetër është edhe numri i lartë i kthimeve që ka dekurajuar emigrimin.

Rrugëtim i paligjshëm drejt Mbretërisë Bashkuar

Sipas të dhënave të Observatorit të Migrimit të Universitetin e Oksfordit, rreth 16 mijë shtetas shqiptarë aplikuan për azil në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2022. Gati 12 mijë prej tyre arritën në ishull nëpërmjet varkave të vogla.

Sipas informacioneve të policisë shqiptare, trafikantët lidhjen me personat që trafikojnë në Mbretërinë e Bashkuar e bëjnë në Belgjikë e Francë.

Për të ndërmarrë këtë aventurë të mundimshme shqiptarët udhëtojnë me autobus drejt Brukselit, qytet që njihet si pika e parë e grumbullimit të emigrantëve. Itinerari që ndjek autobusi në linjën Shqipëri-Bruksel nuk është aspak i zakontë, por kalon nëpërmjet Kosovës, Maqedonisë e Veriut, Serbisë, Hungarisë, Gjermanisë dhe në fund arrin në Belgjikë, plot 2,236 kilometra larg. I gjithë devijimi bëhet për arsye se në kufirin hungarez kontrollet nuk janë aq të rrepta dhe për pasojë askush nuk vë në pikëpyetje dyndjen e madhe të shqiptarëve që përpiqen të shkojnë drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu rreziku për t’u kthyer mbrapsht është i vogël.

Nga Brukseli shqiptarët shkojnë më pas te kanali i La Manshit në Francë për ta kaluar atë me gomone, në mënyrë që të mbërrijnë në tokën britanike. Trafikantët rekrutojnë emigrantët ilegalë për punën e skafistit. Këta të fundit, në pamundësi ekonomike, vetëofrohen për të drejtuar gomonet pa ditur as bazat më elementare të lundrimit. Në duart e tyre është jeta e qindra personave që nisen çdo ditë me gomone të tejmbushura.

Redon T., nga qyteti i Kukësit, bashkë me dy shokë të tij punonin te tolli i pagesës së autostradës në Kalimash. Një ditë vere, ata nuk janë paraqitur në punë dhe kanë marrë rrugën për në Francë me destinacion Mbretërinë e Bashkuar.

“Përmes Tik-Tok-ut kemi shkuar në Francë”, kujton Redoni. “Atje jemi bërë bashkë me shqiptarë të tjerë dhe kemi blerë gomonen”, tha ai, ndërsa shtoi se trafikantët nuk marrin asgjë përsipër “as drejtimin e gomones.”

Redoni tregoi se kanë udhëtuar me GPS dhe, kur zbritën në breg, policët shqiptarë që janë vendosur në Angli u morën shenjat e gishtave dhe i porositën që të mos merreshin me drogë, pasi do të burgoseshin e më pas do t’i kthenin në Shqipëri.

Sipas aktivistit Jahir Cahani, udhëtimi për në Mbretërinë e Bashkuar me gomone është i rrezikshëm, për shkak se realizohet me mjete lundrimi të papërshtatshme dhe gomonet drejtohen nga vetë emigrantët.

“Ai që drejton gomonen nuk paguan”, tha ai. “Gomonet janë njëperdorimëshe dhe të rrezikshme për të udhëtuar”, shpjegoi Cahani.

Sabian Dajçi është 19 vjeç. Ai ka mbaruar gjimnazin e Krumës, ndërkohë punon si kamerier në një piceri në këtë qytet. Dajçi në verën e vitit 2022, ka tentuar dy herë që të udhëtonte ilegalisht për në Angli, por nuk ia ka arritur qëllimit. Herën e parë është kapur në kufi me Serbinë dhe është kthyer, ndërsa herën e dytë ishte kapur nga policia franceze në brigjet e Dunkirkut, disa orë para nisjes me gomone. Ai shpjegoi se kishte tentuar të emigronte pasi kishte dëshirë të ndihmonte prindërit që të shpëtonin nga varfëria, siç kanë bërë shumë emigrantë të tjerë në Has.

Sabiani kujtoi se në korrik 2022, djali u dajës e ka rekomanduar që të takojë në Tiranë një person nga jugu i Shqipërisë dhe të nisej bashkë më të, pasi duhet të bëheshin një grup për të kaluar ilegalisht me gomone në Angli. Të rinjtë kanë shkuar fillimisht në Belgjikë, aty ku personi i kontaktit i ka orientuar për të kaluar në kufirin francez në Dunkirk për të pritur kalimin me gomone në Angli.

“Vetëm katër orë para se të niseshim me gomone për në Angli, na kapi policia bashkë me disa shqiptarë të tjerë dhe na kthyen në Shqipëri”, kujtoi ai. “Për këto dy tentativa, kam harxhuar rreth 2,700 euro”, shpjegoi Sabiani, ndërsa shtoi se “nuk do e provoj më kurrë që të emigroj ilegalisht.”

Fatjon Peca, 20 vjeç nga fshati Nikoliq i rrethit të Hasit, ka tentuar gjithashtu ne korrik të vitit 2022 të shkonte ilegalisht në Angli me gomone, por është kapur në brigjet franceze së bashku me15 emigrantë të tjerë shqiptarë dhe është kthyer në Shqipëri.

“Kishim bërë pazar me 5 mijë paund për të udhëtuar me gomone”, kujtoi ai.

Gazetari i njohur kosovar Augustin Palokaj, që prej vitesh ushtron profesionin në Bruksel, thotë se operacionin e kontrabandës së njerëzve për në Angli e bëjnë shqiptarët dhe një pjesë e të trafikuarve janë të rekrutuar aty për aty për të vazhduar në Britani të Madhe punët e kontrabandës. Grupet kriminale të qarkut të Kukësit veprojnë edhe në Belgjikë, aty ku realizohen të gjitha lidhjet.

“Të gjithë në Kukës i dinë me emër e mbiemër trafikantët e emigrantëve nga Belgjika drejt Britanisë së Madhe”, tha për BIRN një oficer policie me gradën kryekomisar, i cili më parë ka punuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Drejtori i Kufirit dhe Migracionit në Kukës, Gani Zeneli, i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se Policia Shqiptare aplikon një plan masash për të dekurajuar r emigrimin e paligjshëm drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat synojnë forcimin e kontrollit të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin shtetëror për plotësimin e kushteve për udhëtim drejt vendeve të BE-së dhe hapësirës Shengen, si dhe kontroll të detajuar për minorenët që udhëtojnë jashtë vendit, në mënyrë të veçantë drejt Italisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Zeneli theksoi gjithashtu se autoritetet shqiptare kanë bashkëpunim intensiv dhe shkëmbim informacioni me autoritetet homologe për kufirin dhe migracionin të vendeve fqinje – Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi – të cilat përdoren si transit për në vendet e BE-së, me qëllim kërkimin e azilit. Nga këto vende është kërkuar verifikimi i detajuar i shtetasve shqiptarë që udhëtojnë nga aeroportet e tyre.

Një risi e bashkëpunimit me partnerët, sipas drejtorit Zeneli, janë edhe takimet periodike me oficeret e kontaktit të Ambasadës Britanike, si dhe dërgimi në Britaninë e Madhe të një oficeri ndërlidhës, efektiv i Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Kukës, për koordinim dhe problemet e migracionit të paligjshëm nga ana e shtetasve të qarkut Kukës dhe Dibër.

“Si rezultat i këtyre masave nga ana e personelit kontrollor në pikat e kalimit kufitar, është vlerësuar gjithë dokumentacioni shoqërues për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë pa viza në zonën Shengen”, shkruan Zeneli.

“Bazuar në këto vlerësime është bërë e mundur që këtë vit t’u refuzohet përkohësisht dalja 186 shtetasve shqiptarë prej të cilëve 10 shtetas minorenë”, shtoi ai.

Rrugë të reja trafiku

Sipas ministrisë së Brendshme, për periudhën 2021-2023 i është dhënë azil 43,463 personave të huaj në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që janë refuzuar kërkesat e 8,930 personave, nga kërkesa për azil janë tërhequr 17,316 persona. Nga 17,316 tërheqje të regjistruara në 12 muajt e fundit, 9,266 persona (54%) janë me shtetësi shqiptare.

Në dhjetor 2022, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama, nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për kufizimin e migrimit të paligjshëm. Sunak e ka vlerësuar këtë marrëveshje dhe masat e marra në kuadër të saj si arsyeja për rënien drastike të numrit të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që shkojnë në Angli nëpërmjet gomoneve dhe mjeteve të vogla lundruese. Sipas qeverisë britanike, numri i shqiptarëve që udhëtojnë me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90%.

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN në veriun e Shqipërisë nëpërmjet intervistave me familjarë dhe emigrantëve të deportuar, tregojnë se një pjesë e tyre tashmë janë kthyer në Mbretërinë e Bashkuar duke ndjekur rrugë të reja trafiku.

Një prej atyre që nuk ka hequr dorë lehtë nga ëndrra britanike është dhe Isli H. nga fshati Shemri i Kukësit. Herën e parë ai kishte udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar me gomone dhe, pasi është depërtuar, ka fluturuar nëpërmjet aeroportit të Vjenës. Një i afërm i tij, i cili e ka shoqëruar deri në aeroportin e kryeqytetit austriak, tregoi për BIRN mënyrat se si behet trafiku i emigrantëve të paligjshëm përmes këtij aeroporti.

Pasi arritën në Vjenë, vendosën kontakte me grupet kriminale të cilët të pajisin me pasaportë false të një prej vendeve të BE-së. Islin e pajisën me një pasaportë të një shtetasi polak, por fotografia ishte e Islit. Në aeroportin e Vjenës nuk ka kontrolle të imtësishme, pasi autoritetet atje e dinë se emigrantët e paligjshëm nuk kanë si qëllim Austrinë. Orari i udhëtimit për në Londër llogaritet të jetë i përafërt me grafikun e udhëtimeve për në Tiranë.

Për shkak të Brexit, porta e fluturimit për në Londër është bashkë me ato të vendeve ekstra-komunitare të BE-së si Shqipëria. Grupet kriminale në Vjenë të pajisin me dy bileta, një për në Tiranë dhe një për në Londër. Burri shpjegoi se për t’i shpëtuar brezit të parë të kontrollit, pra, kontrollit të policisë për kontroll fizik dhe skanim të pasaportës, emigranti paraqet pasaportën shqiptare dhe më pas përdor pasaportën e falsifikuar për të hipur në avion.

“Kur të mbërrish në Londër mund të rrezikohesh vetëm nëse të provokojnë duke të pyetur në gjuhën e vendit ku ke marrë pasaportën, në rastin konkret në gjuhën polake”, shpjegoi i afërmi i Islit, të cilit ky udhëtim i paligjshëm i ka kushtuar 3,000 paund.

Një tjetër aeroport ku realizohet trafiku i emigrantëve të paligjshëm drejt Britanisë Madhe është ai u Barcelonës, ku emigrantët pajisën me pasaporta false me destinacion aeroportet e veriut të Mbretërisë së Bashkuar, aty ku kontrollet nuk janë të imtësishme. Një mënyrë tjetër për të depërtuar në Britaninë e Madhe është ajo përmes Irlandës. Ky shtet, megjithëse është anëtar i BE-së, nuk është pjesë e marrëveshjes së Shengenit.

“Shumë emigrantë të paligjshëm po udhëtojnë përmes Irlandës”, shpjegoi Ibrahim R. nga Kruma, i cili kërkoi të mbetej anonim. “Marrja e vizës për Irlandë është më e lehtë se sa për në Britaninë e Madhe, por në këtë vend mund të udhëtosh edhe me viza false, kryesisht nga Barcelona”, shpjegoi ai, ndërsa shtoi se “nga Irlanda për në Irlandën e Veriut është më lehtë për të depërtuar”.

Vala e migrimit

Sipas Zyrës Arsimore të Kukësit, numri i nxënësve në shkollat e mesme të këtij qyteti kanë rënë nga 2,475 nxënës që ishte në vitin 2015, në 1,543 nxënës në shtator 2023, rënie që i faturohet migrimit masiv nga veriu i Shqipërisë, kryesisht drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Vetëm në periudhën shtator 2022-qershor 2023, janë regjistruar në të gjithë bashkinë e Kukësit 1,676 nxënës të shkollave të mesme”, tha Ylber Çiku, punonjës i statistikës në Zyrën Arsimore të Kukësit.

“Në qershor 2023 kanë rezultuar 1,498 nxënës ose 176 nxënës më pak, të cilët janë larguar, pavarësisht se kanë filluar shkollën”, shtoi ai.

Besim Dani, drejtues i gjimnazit të Krumës, tregon se edhe në kryeqendrën e Hasit situata me largimin e të rinjve është kritike. I emocionuar deri në përlotje, ai tregon për largimin e nxënësve pa mbaruar gjimnazin për në Angli dy vjet më parë, në pikun e valës se migrimit me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Përgjatë vitit 2022, janë larguar 40 nxënës të vitit të parë dhe të dytë”, kujtoi ai, ndërsa shtoi se “nga këta, 15 prej tyre kanë qenë të shkëlqyer në mësime.”

“Garantoj se këta 15 nxënës do të bëheshin inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, apo politikanë shumë të zotë, që do t’i shërbenin vendit, vetes tyre dhe familjes, ndërsa tani bëjnë punë të rëndomta në Angli”, tha Dani, ndërsa bëri thirrje që nxënësit të mbarojnë shkollën e lartë dhe më pas të bëjnë zgjidhjen për të emigruar.

Shqetësim për plagët që po shkakton emigracioni shpreh edhe drejtori i shkollës së mesme të bashkuar të fshatit Shtiqën, Izmir Muja. Ai thotë se të gjitha bisedat e të rinjve në shkollë tashmë nuk janë për mësimet, por shkuarja në Angli.

“Rrjetet sociale si Facebook e Instagram kanë bërë punën e tyre”, tha ai. “Shohin shokët që postojnë në këto rrjete foto pranë automjeteve luksoze, por realiteti është krejt tjetër”, shprehet Muja.

Njomza Malaj është nga fshati Peraj i rrethit të Hasit, fshat i largët që ndan gjeografikisht Hasin me Tropojën. Sivjet ajo është studente e vitit të parë të degës së dizajnit në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë. Njomza ka vëllezërit në Angli dhe të atin që shkon dhe vjen me vizë të rregullt.

“Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend që të udhëtoj në Angli ilegalisht”, tha ajo. “Nëse shkoj në Angli, do të aplikoj për vizë dhe do të shkoj atje për shkollë dhe jo për të punuar”, shtoi Malaj.

Sipas drejtorit të shkollës së mesme të Krumës, Besim Dani, është e vështirë që t’i bindësh të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, ndërkohë që çdo familje e përjeton shumë keq largimin e tyre.

“Shoqëria është e ndarë në dy grupe lidhur me emigrimin e të rinjve”, tha Dani. “Është një pjesë që e dëshiron emigrimin, ndërsa një pjesë jo”, shtoi ai.

Shkalla e shtrembër

Në librin e tij “Shkalla e shtrembër, gangsterët, etnia dhe ëndrra amerikane”, sociologu James M. O’Kane shpjegon një temë pak të studiuar, mënyrën se si grupe të ndryshme emigrantësh në SHBA e kanë përdorur krimin e organizuar për të amplifikuar mobilitetin e tyre social nga klasa e varfër në atë të mesme.

Sipas aktivistit të shoqërisë civile në Kukës, Lavdrim Shehu, modelet jo pozitive të të rinjve shqiptarë që janë në Angli janë një nxitje që të rinjtë e tjerë të emigrojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Ka patur një nxitje të vazhdueshme këtë periudhën e fundit nga modele jo pozitive, ku të rinj të veçantë kanë shkuar dhe janë përballur, apo kanë përfituar nga sisteme të caktuara në Angli, duke u marrë me aktivitet kriminal dhe duke vënë para e pasuri”, tha ai, ndërsa shtoi se këto modele kanë shërbyer si një nxitje për valën e migrimit.

Shehu shpreh bindjen se edhe prindërit e emigrantëve e dinë se një pjesë e fëmijëve të tyre që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar përfshihen në trafikun e drogës.

“Realisht, ky është një shqetësim në aspektet sociologjike të zhvillimit të një shoqërie që në kontekstin e familjeve tona është një shqetësim dhe e kam vërejtur që prindër edhe intelektual edhe të kapaciteteve normale, pavarësisht se fëmijët e tyre punojnë në të zezë, punojnë si ta quajmë kriminelë, apo të inkriminuar, bien dakord në një farë mënyre”, tha ai. “Dhe ky është një shqetësim, ky është një shqetësim i frikshëm”, theksoi Shehu.

Jahir Cahani pohon se emigrimi masiv drejt Britanisë është vepër e krimit të organizuar.

“Vetë trafikanti pjesë e skemës së krimit merr takimin e parë me emigrantin e paligjshëm dhe fjala e parë që i thotë është: ‘Çfarë deshe që erdhe? Do ta kesh shumë të vështirë, megjithatë do të bisedoj se mos të sistemoj’. Ndërkohë që “sistemimi” është për në shtëpitë e barit”, tha ai.

“Duke qenë pa para dhe përkrahje, pa ditur gjuhën, përfundon në rrjetet e krimit organizuar, në shtëpitë e barit”, shtoi Cahani.

Puna e paligjshme në shtëpitë e barit transformohet në asete të ligjshme në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar. Asetet në Shqipëri janë kryesisht apartamente, shtëpi luksoze, restorante apo bar kafe në qytetet përkatëse, biznese të ndryshme, kryesisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare. Me menaxhimin e tyre merren persona të afërm të familjes apo vetë ata që janë kthyer nga Britania. Megjithatë, pjesa më e madhe e investimeve është në Britani, ku shqiptarët e sipërpërmendur kanë blerë hotele e restorante, kanë blerë apo kanë marrë me koncesion pjesën më të madhe të lavazheve, kanë ngritur kompani ndërtimi dhe skela ku kanë të punësuar dhjetëra punonjës.

Sokol Cana, zv.Drejtor për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë në Kukës, i tha BIRN se gjatë vitit 2023 kanë çelur hetime pasurore për 6 raste të lidhura me aktivitete kriminale në Britaninë e Madhe.

“Për çdo informacion të marrë kanë nisur verifikimet e pasurisë së këtyre shtetasve dhe të afërmve të tyre si dhe janë çelur hetimet pasurore në 6 raste të cilat janë referuar në Prokurori”, tha Cana.

Jo të gjithë atë që zgjedhin një karrierë kriminale bëhen të pasur dhe disa janë penduar për rrugën që kanë zgjedhur.

Shpëtimi, nga qyteti i Kukësit, është njëri prej emigrantëve të paligjshëm që udhëtoi për në Mbretërisë së Bashkuar dy vjet më parë dhe zgjodhi shkallën e shtrembër drejt suksesit. Pasi punoi një vit në shtëpitë e barit në Angli, ai u kthye në Kukës i zhgënjyer dhe me vetëm 6 mijë paund në xhep.

Ai shpjegoi se kultivimi i paligjshëm në “shtëpitë e barit” është një punë që zgjat 24 orë në ditë, në një ambient ku ajri i pastër nuk futet kurrë, ku nuk shikon kurrë dritë natyrale dhe je i vetëm gjatë gjithë periudhës së kultivimit të hashashit në mes të pesticideve, në një shtëpi që mund të marrë flakë në çdo moment, sepse ata që kanë instaluar llambat dhe janë duke vjedhur energjinë nuk janë elektricistë.

“Ndodh shpesh që dikush i grabit pak ditë para korrjes dhe humbin çdo gjë apo i ndërpresin energjinë dhe prodhimi ‘vdes’”, tha ai. “Ke qenë i lodhur dhe ke harruar të kujdesesh siç duhet për bimën dhe në fund merr çerekun e prodhimit”, shpjegoi Shpëtimi, ndërsa theksoi se më e keqja fare është kur kapesh nga policia pa korrur as dorën e parë.

Sipas Cahanit, shqetësimi kryesor i emigrantëve të paligjshëm në Angli që punojnë në shtëpitë e barit nuk është policia, por bandat grabitëse.

“Edhe kur kapen nga policia, personat që punojnë në shtëpitë e barit lirohen në përgjithësi, por edhe dënimet janë të lehta për shkak se legjislacioni penal në Britani parashikon dënime të lehta”, tha ai. “Problem për emigrantët e paligjshëm që punojnë në shtëpitë e barit nuk është policia britanike, pasi policia mbyll njërin sy, por është sulmi që u behet këtyre shtëpive nga bandat grabitëse”, përfundoi ai./BIRN