MENU
klinika

Ndryshon rregulli për indeksimin

Sa do të rriten pensionet në prill

27.02.2024 - 13:06

Mbështetja financiare për pensionistët do të vijojë edhe përgjatë vitit 2024. Për këtë vit rritja pritet të ndahet duke filluar nga muaji prill. Vetë kryeministri Rama tha vitin e kaluar se pensionistët do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve, për të cilin do të vihet në dispozicion fondi prej 250 milionë eurosh. “Buxheti për vitin e ri 2024, mbështet financiarisht 717.330 pensionistë nëpërmjet indeksimit dhe bonusit të pensioneve 250 milionë euro”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale. Por sa do t’u rriten në terma konkretë pagesat mujore pensionistëve? Një pensionist në Shqipëri paguhet nga 8000-15000 lekë të reja në muaj. Pensioni do t’i shtohet me 500 lekë të reja në muaj. Çfarë do të bëjë ky pensionist? Marrim numrin e pensionistëve, që nuk janë të paktë, që marrin 8000 lekë të reja në muaj, dhe 500 lekë, 8500 lekë të reja në muaj. Një pensionist që duhet të paguajë drita, ujë, dhe të gjitha shpenzimet e ushqimeve të shportës, që kanë pësuar rritje. Duhet të paguajë medikamentet. Flitet për buxhet 400 miliardë. Po, 400 miliardë është shumë e madhe, por shpërndarja është e padrejtë.

Ndryshimi i skemës
Për këtë situatë jo të mirë për pensionistët, qeveria thotë se po planifikon të ndryshojë skemën e pensioneve. Mësohet se socialistët kanë nisur një proces vlerësimi për skemën aktuale të pensioneve. Kur ka kaluar më pak se një dekadë nga reforma e ndërmarrë në 2015-n, po shihet domosdoshmëria e ndërhyrjes, duke korrigjuar disa aspekte të saj. Për deputeten e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj, kjo skemë tanimë mund të konsiderohet e vjetëruar, për aq kohë sa mbart të njëjtat problematika. Nga studio e emisionit “Box to Box” Resulaj u ndal edhe tek aspektet të cilat duhet të rishikohen, që nga rritja e numrit të punësuarve duke luftuar informalitetin e deri tek rritja e nivelit të sigurimeve dhe barazimi i kontributeve për të vetëpunësuarit në fshat dhe qytet. E pyetur sesa do të jetë shtesa që do të përfitojnë pensionistët këtë vit, Resulaj tha se ende nuk është përcaktuar, por si çdo vit tjetër do të bëhet bazuar në normën e inflacionit. Në lidhje me minimumin jetik, deputetja e maxhorancës vuri në dukje se fakti që nuk po miratohet nuk është çështje e mungesës së vullnetit politik por e pamundësisë financiare.

Alarmi i FMN
Deficiti i skemës së pensioneve apo pagesat që buxheti bën për të mbuluar të ardhurat e munguara nga kontributet kanë rënë në nivelin më të ulët historik në 0.8% të PBB-së sipas shifrave të Ministrisë së Financave. Konkretisht deficiti është ulur nga 27.6 miliardë lekë në 2015-tën në 17 miliardë lekë në vitin 2023. Për ekspertët, pavarësisht se treguesi është pozitiv sërish nuk garanton rritje pensionesh. “Në momentin që flasim skema edhe pse mund të ketë një përmirësim në mbledhjen e të ardhurave është shumë larg objektivave afatgjatë që janë rritja e pensioneve mbi nivelin e minimumit jetik dhe nga ana tjetër fuqizimin e pensioneve të ulëta”, tha Eduart Gjokutaj. FMN në vrojtimin e fundit të situatës financiare të skemës së pensioneve ngriti alarmin se ajo rrezikohet nga plakja e popullsisë, pasi në 2070 gati 80% e forcës punëtore pritet të jetë mbi 65 vjeç. Ekspertët shprehen se shteti nuk duhet të mbajë të gjithë barrën e riskut tek pensionet, por ta ndajë me qytetarët “Aktualisht mosha mesatare është 38.8 vjeç dhe është shqetësuese që në momentin që po flasim dhe nga ana tjetër largimi i popullsisë së re ngre pikëpyetje të mëdha për qëndrueshmërinë dhe sigurinë financiare të skemës sepse janë ata që duhet ta furnizojnë këtë skemë me kontribute, në mënyrë që të paguhen pensionet në vijimësi. Skema duhet të gjenerojë edhe të ardhura dhe këtu futet në lojë se sa do të jetë pjesa e asaj se si do të investohet shteti për të garantuar tranzicionin mes ndarjes së risqeve të skemës publike dhe private, në mënyrë që të ardhmen pensionet të mos bazohen vetëm në një shtyllë”, u shpreh eksperti Eduard Gjokutaj. Ministria e Financave dhe baka botërore janë aktualisht duke përgatitur një reformë tjetër të madhe të pensioneve pas asaj të 2015-tës, e cila pritet të zhdukë diferencat e mëdha mes pensioneve rurale dhe të qytetit, si dhe të sigurojë një rritje të qenësishme tyren.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lekët po përgatiten që të merren në ATM

Detajet nga shtesa që do aplikohet në prill për pensionistët

Rreziku i vetëm që mund të përballen të moshuarit

Si do të shpërndahen pensionet në banka