“Në rast fitoreje, Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, por do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor.”
Kështu ka paralajmëruar shefi i Mbrojtjes rumune Gheorghita Vlad, i cili i ka kërkuar vendit të tij dhe NATO-s që të përgatiten më mirë për një luftë të mundshme me Rusinë.
Ai tha se Moska do të vazhdojë përshkallëzimin e saj ushtarak nëse ka sukses në Ukrainë.
“Federata Ruse është bërë një problem për rendin botëror dhe për demokracinë. Në realitet është lufta e Rusisë me botën demokratike, jo me Ukrainën”, tha oficeri më i lartë ushtarak i Rumanisë në një intervistë për transmetuesin Evropa e Lirë.
I emëruar shef i mbrojtjes në nëntor 2023, Vlad tha se beson që Rusia “nuk do të ndalet” në Ukrainë: “Nëse fiton, objektivi kryesor do të jetë atëherë Republika e Moldavisë. Ne do të shohim tensione në Ballkanin Perëndimor.”
Ndërkohë autoritetet ukrainase thanë se dy “vullnetarë” francezë u vranë dhe tre të huaj të tjerë u plagosën lehtë të enjten gjatë një sulmi rus në qytetin jugor Beryslav, afër Khersonit.
“Vullnetarët e huaj u vranë dhe u plagosën për shkak të një sulmi armik në Beryslav,” shkroi guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin në Telegram.
“Ushtria ruse vrau dy shtetas francezë dhe tre të huaj të tjerë u plagosën lehtë”, shtoi Prokudin pa specifikuar funksionet e sakta të këtyre “vullnetarëve”.