MENU
klinika

Autorët pjesë e grupit terrorist të ekstremit të majtë

Shpërthim me bombë në Ministrinë e Punës në Athinë

03.02.2024 - 11:17

Një pajisje me lëndë plasëse ka shpërthyer në qendër të Athinës, në orën 01:29 të mëngjesit, në rrugën Stadiou pranë Ministrisë së Punës.

Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një ekip i TEEM, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe po hetohet për ngjarjen.

“Për shkak të një objekti të dyshimtë, është ndaluar qarkullimi i automjeteve në rrugën “Stadiou”, në lartësinë e kryqëzimit të saj me rrugën “Pesmazoglou”, njoftuan autoritetet greke.

Në orën 00:49, një personi i panjohur ka paralajmëruar për ekzistencën e një mekanizmi plasës në Ministrinë e Punës.

Sipas informacioneve, ka pasur edhe një telefonatë të dytë, në të cilën thuhet se pajisja është vendosur jashtë një banke që ndodhet pranë ministrisë, në Korai.

Personi i panjohur tha se telefononte në emër të organizatës revolucionare “Vetëmbrojtja e klasës revolucionare”. Policia është vendosur menjëherë në lëvizje, duke bërë rrethimin e zonës dhe ndalimin e qarkullimit në rrugën “Stadhiu” të kryeqytetit helen.

Ekspertët ligjorë po hetojnë në lidhje me përbërjen e bombës si dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e autorëve. Organizata “Vetëmbrojtja e klasës revolucionare” për të cilën Policia thotë se është një grupim terrorist i ekstremit të majtë, është hera e parë që shfaqet në Greqi.

Autoritetet dyshojnë për një rinisje të aktivitetit të ekstremistëve të majtë marksistë, të cilët kanë vendosur dhjetëra bomba artizanale dhe mekanizma shpërthyes gjatë 10-15 viteve të kaluara.

Në vazhdim autoritet helene mundën të neutralizojnë disa prej tyre, duke dërguar në burg për 10-20 vjet anëtarët e këtyre grupimeve të arrestuar gjatë luftës disa vjeçare të shtetit grek kundër grupimeve arksiste të ekstremit të majtë.

Njoftimi i policisë greke

“Sot më 3 shkurt 2024, në orën 00:48 Qendra e Veprimit të Menjëhershëm është njoftuar përmes një telefonate nga Gazeta e Redaktorëve se kanë marrë një telefonatë në lidhje me vendosjen e një lënde shpërthyese në Ministrinë e Punës, e cila do të shpërthente në 40 minuta.

Zona është rrethuar nga forcat e policisë të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke devijuar trafikun.

Mekanizmi ka shpërthyer në orën 01:29, duke shkaktuar dëme materiale.

Një hetim paraprak po kryhet nga Shërbimi Antiterrorist (D.A.E.B.)”.