MENU
klinika

Artisja e madhe e skenës

Shuhet “Perëndesha e valles shqiptare”, Lili Cingu!

05.02.2024 - 21:30

Artistja e madhe e skenës, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles”.

Shuhet valltarja Lili Cingu. Ajo është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Lili Cingu u lind në Tiranë në 31 dhjetor 1950. Ashtu si dhjetra artistë të tjerë edhe tek Lili talenti ra në sy që në fëmijëri.

Që në moshën 12 vjeçare përfaqësoi shkollën ”11 Janari” në një konkurs sportiv, ku dhe fitoi një medalje duke u kualifikuar e para.

Regjistrohet në grupin e valleve pranë Pallatit të pionierëve dhe më vonë në 1963 ndjek një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit.

Cingu përfundoi shkollën e mesme në Liceun artistik  “Jordan Misja” në degën e koreografisë.

Në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP.

Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për mëse 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe  ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.

Shuhet "Perëndesha e valles shqiptare", Lili Cingu!

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.

Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike.

Sukseset e AKKVP janë të lidhura edhe me solisten e këtij ansambli Lili Cingun. Në çdo vend të Evropës, Azisë, Amerikës e Kanadasë ku ka shkuar e është prezantuar Ansambli ka qënë present edhe Lili Cingu, duke marrë pjesë në shumë festival ndërkombëtare, ku  ajo ka shpalosur me interpretimin e saj vlerat e artit koreografik shqiptar.

Shuhet "Perëndesha e valles shqiptare", Lili Cingu!

Lili Cingu është një nga valltaret shqiptare që ka krijuar një personalitet të sajin tipik, jo vetëm në skenë por edhe jashtë saj. Ajo punoi në AKKVP deri në vitin 1997, vit në të cilin u largua në Kanada si plotë artistë të tjerë në atë kohë, ku ushtroi profesionin e saj. Krijoi  shkollë ku përgatiti brezin e ri të kërcimit të valles popullore shqiptare.

Artistja e madhe e skenës, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles”. Lili Cingu mban titullin “Nder i Kombit”, por gjatë aktivitetit të saj artistik me AKKVP-në ajo është nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje të ndryshme, me Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar”etj. Për talentin, punën dhe suksesin e Liljana Cingut flasin dhjetra emisione televizive, reportazhe, me qindra faqe të shtypit të shkruar brenda dhe jashtë vendit.

Shuhet "Perëndesha e valles shqiptare", Lili Cingu!

Francezët e Dizhon-it, filluan të thërrisnin fort “Viva Albania” kur në gjoksin e kërcimtares së re shqiptare u vendos “Gjerdani i Artë” i Festivalit. Edhe pse trofeu i takonte gjithë Ansamblit, në mënyrë krejt spontane, a ndoshta të përllogaritur që në hapin e parë, kryetari i jurisë, i qetë dhe i pandikuar nga thirrjet frenetike të publikut, u drejtua për nga më e reja e grupit që kishte dalë në skenë me simbolet kuq e zi, valltarja 19 vjeçare, Liljana Cingu. Ajo pak kohë më parë ka folur për karrierën e saj.

-Si lindi pasioni për kërcimin. Fillimet tuaja?
Si çdo fëmijë që ka dëshirat e veta për të realizuar një ëndërr në një profesion edhe unë dëshiroja që të ngjitesha në skena e të vallëzoja, megjithëse kisha talent edhe për sport si gjimnaste apo atlete. Po pasioni i vërtetë ishte që të ngjitesha vetëm në skenë. Që e vogël, këtë dëshirë timen e realizoja në pistën e Shtëpisë së Oficerëve, ku darkoja me prindërit.

-Ambicia juaj fillestare ka qenë një kërcimtare e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, apo do të donit të ishit më shumë një balerinë e teatrit klasik?

Fillimisht jam aktivizuar me shkollën, me Pallatin e Pionierit. Por më pas vazhdova një shkollë 4-vjeçare pranë Ansamblit të Valleve dhe në moshën 16-vjeçare, fitova të drejtën për të filluar punë si valltare në Ansambël. Dëshira ime ishte pikërisht në këtë fushë.

-Si e kujtoni daljen e parë në skenë?

Ishte vitin 1967. E kisha disi të vështirë përballjen me publikun. Pyesja veten: “A do jem në lartësinë e duhur në kërcim pranë Besim Zekthit?”. Kisha shumë emocione. Por me punë e përkushtim ia arrita qëllimit që të isha një profesioniste në skenë. Kurrë nuk rreshta së thëni vetes: “Do punoj për të qenë e denjë dhe më e mira në kërcim”.

-Viti 1970 përkon me marrjen e “Gjerdanit të artë” në Festivalin e Dizhion-it në Francë. Çfarë kujtoni nga ato ditë?

Në vitit 1970, Ansambli i Këngëve dhe Valleve bëri turne në Festivalin e Dizhon-it në Francë. Ishin 44 shtete në atë festival botëror.

Grupi i shqipeve gati fluturonte. Ishin fillimet e mija e një gëzim i papërsëritshëm për mua kur në stadiumin me 20 mijë spektatorë vendoset në qafën time “Gjerdani i Artë”, një meritë për ne artistet e Ansamblit. Janë të pa përshkruara emocionet që ne kishim. Prezantimi dinjitoz e mbresëlënës me vallet, këngët, kostumet, muzikën bënë që francezët të brohorisnin “Viva Albanie”. Ishin vërtet emocione të papërshkrueshme.

-Ndërkohë Ansambli ka marrë edhe çmime të tjera ndërkombëtare. Cilat kanë qenë trofetë e radhës?

Gjithmonë Ansambli është vlerësuar me trofe e çmime në çdo vend, si brenda vendit e jashtë. Dhe kjo ka qenë meritë e grupit si dhe e drejtueseve të këtij Ansambli.

-Koncertet në Kosovë ishin të tjera aktivitete mbresëlënëse të Ansamblit. Cila ishte atmosfera në vitet “˜70 kur dhe u lejuan shkëmbimet dypalëshe?

Në vitin 1971 kishim një ftesë për një turne në të gjithë Kosovën. Ndjeva shumë emocione, se do prekja tokën e vendlindjes se babait tim.

Ndarja e kufijve në ato vite ishte e pabesueshme që të na realizohej të takonim tokën tonë, gjakun tonë, gjuhën e njerëzve, me kulturën dhe artin e përbashkët, por ja që forca e artit u realizua, edhe me sakrifica.

Shumë mbresëlënëse ishte kur ne flisnim një gjuhë, atë gjuhë të tokës së përbashkët më me kulturë e art, me shumë tradita njësoj. Njerëz që ju ndriçonte fytyra nga gëzimi duke na shoqëruar pa iu dridhur syri.

-Kur dilnit jashtë shtetit, sa ishit të monitoruar nga Sigurimi i Shtetit?

Daljet tona jashtë kufijve kanë qenë gjithmonë të survejuara me punonjës të cilët na shoqëronin, ndoshta që të mos humbnim nga bukuritë e vendeve të tjera.

Por ndodhte që ne kërcenim në skena e ata humbnin nga bukuritë e vendeve ku shkonim. Pra, ndodhte e kundërta. Artisti lodhej e djersitej që të dilte sa më mirë në skenën e vendit të huaj, shoqëruesit tanë mahniteshin, se s’kishin punë tjetër.

-Me Ansamblin këndonte edhe një emër si Vaçe Zela. Çfarë kujtimesh ndani me të?

Nuk mund të mos e kujtoj këngëtaren e madhe Vaçe Zela, një emër i madh për ne shqiptarët, një talent që ka bërë publikun të ngrihet në këmbë me zërin e saj. Po unë do të thosha edhe një njeri me zemër të madhe, me një kulturë të vlerësuar dinte të respektonte. Vaçen e dua shumë, respekt për atë artiste.

Shuhet "Perëndesha e valles shqiptare", Lili Cingu!

-Mendohej se artistët bënin një jetë më të mirë se pjesa tjetër e popullit. Në fakt sa vlerësoheshit materialisht e moralisht para viteve ’90?

Ne si artistë, para viteve “˜90 kënaqeshim më pak se thoshim: “Mos kërko më shumë se e gjen vendin tjetër kund”. Lodhja e artistit vlerësohej sa një minator,

por vetëm për djersën dhe jo materialisht. Në disa drejtime ndoshta bënin një jetë më të mirë. Gjithmonë ideja bazë ishte se një pjesë e artistëve dhe sportistëve dilnin jashtë shtetit dhe kjo u jepte mundësi të tjera.

-Kur jeni larguar si soliste e Ansamblit?

Duke qenë se ato vite artistët dilnin në pension në moshën 45-vjeçare, unë qëndrova edhe dy vjet të tjerë dhe dola në pension në vitin 1997. Më pas kam qenë me kontratë. Për njëfarë kohe kam qenë në Kanada, e ftuar nga ish-nxënësit e mi.

Një shoqatë shqiptaro- kanadeze më ftoi për të marrë pjesë për Festën e Flamurit më datë 28 nëntor. Vajta atje dhe u ndjeva e mrekulluar kur flamuri ynë u valëvit në mes të Toronto-s.

Në atë kohë kam pasur aktivitete me studentët. Ka shumë shqiptarë që jetojnë atje dhe e duan folklorin.

-Ju jeni aktive edhe sot. Cili është plani më afatshkurtër që keni?

Duke qenë se jam gjithmonë në aktivitet, falë Zotit që më ka dhuruar forcë për të mos ndalur nga vallëzimi në skena, me dashamirësinë edhe të artistëve që e vlerësojnë talentin tim, si përkrahja e partnerit Rexhep

Çeliku si edhe drejtuesi artistik Sulejman Balteza që më kanë aktivizuar me Ansamblin në ndonjë koncert. Por aktivitetet e mija siç duket nuk do mbarojnë këtu.

Vazhdimi do jetë me një recital tjetër, me forcën time, me dashamirës e simpatizantë të artit çdo gjë realizohet dhe arrihet. Duhet punë e djersë… duke qenë se unë “Mjeshtër i Madh” e kam marrë, më duhet ta justifikoj deri sa këmbët të më lënë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit