MENU
klinika

Itinerari i lëvizjes së autorëve

Si ndodhi atentati ndaj Selami Brahimit

09.02.2024 - 11:54

Detje të reja zbardhen nga plagosja me armë zjarri e 60-vjeçarit Selami Brahimi mbrëmjen e së enjtes (8 shkurt) në lagjen “Xhabiej” në Shkodër.

Mësohet se në drejtim të tij është qëlluar rreth 10 herë me breshëri kallashnikov, por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës.

60 vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Automjeti nga i cili qëlluan autorët ka lëvizur nga zona e Parrucës në drejtim të Xhabiej dhe pasi qëlluan me armë zjarri u larguan në drejtim të daljes së Shkodrës ndërsa policia po gjurmon lëvizjet e makinës.

Në Shkodër janë shoqëruar disa persona ndërsa po zhvillohen të tjera kontrolle nga forcat RENEA.

Kontrollet janë zhvilluar në një banesë në fshatin Kuç të njësisë Gur i Zi por nuk ka qenë askush brenda por edhe në disa zona të tjera ku policia mund të ketë informacione.

Të shoqëruarit janë persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes. Selami Brahimi është pronar i një picerie në lagjen “Xhabiej” ku ndodhi plagosja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Dëshmia e 60-vjeçarit
Selami Brahimi është shprehur se po lëvizte në këmbë pasi sapo ishte larguar nga një pallat ku la mbesën e tij. Ai ka treguar se nuk ka arritur që të dallojë automjetin, nga ku është qëlluar në drejtim të tij dhe se s’ka probleme me askënd.

60-vjeçari ka deklaruar se s’ka pasur asnjë kërcënim dhe nuk e ka idenë se kush mund të ketë qëlluar në drejtim të tij, apo arsyen.

“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askend dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, ka dëshmuar Selami Brahimi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kur u ktheva, plumbi më kapi fytyrën…"

Iu bë atentat në Shkodër, dëshmia e Brahimit