MENU
klinika

Dosja 'Gërdeci'

SPAK merr në pyetje me 6 mars Fatmir Mediun për tragjedinë

21.02.2024 - 10:47

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 6 mars seancën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu mbërriti sot në SPAK për seancën e radhës për t’u marrë në pyetje për tragjedinë e Gërdecit.

Shkak i shtyrjes mungesa e kryesueses Irena Gjoka, e cila ishte angazhuar në një aktivitet të Gjykatës Kushtetuese. Dështimi i seancën pamundësoi pyetjen e 4 dëshmitarëve të paraqitur, mes të cilëve, Dritan Minxolli, ish drejtor i fabrikës së Gërdecit dhe ish-ushtarakut Sokol Ngjeçi.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Gjykata më herët i ka kërkuar policisë të njoftojë Mihal Deligjorgjin dhe Dritan Minxollin, të cilët kërkohen si dëshmitarë, por ende nuk janë gjetur adresat e tyre. Për herë të dytë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nën akuzë për shpërdorim detyre bëri apel që të mos heshtet dhe që dëshmitarët të vijnë në gjykatë të flasin.

Në një deklaratë për mediat, ish-ministri i Mbrojtjes duke komentuar edhe mos paraqitjen e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, kërkoi që dëshmitarët mos të pyeten.

GJKKO gjithashtu kërkon të zbardhet e vërteta e faksit ‘Për Shkëlzen Berishën’ të dalë nga zyra e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçit në kohën kur vendosej për demontimin e armëve në Gërdec. Gjykata ka urdhëruar policinë të gjejë ish-sekretaren e ish-ministrit të Drejtësisë, Anjola Agolli, e cila është dëshmitare në procesin Gërdeci.

Agolli në dëshminë e saj dhënë më herët prokurorëve implikoi direkt Shkëlzen Berishën, në demontimin e armëve në Gërdec. Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se “Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin…”

Dëshmia e saj në GJKKO konsiderohet kyçe, ndërsa ende nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj.

Ndërkohë gjykata në seancën e kaluar përsëriti thirrjen për Luan Hoxhën, Dritan Minxollin dhe Mihal Delijorgjin të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.