Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka theksuar se nuk do të ketë pengesa në komunikimin institucional me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti. Në një intervistë televizive Xhaferi nënvizoi se marrëdhënia me qytetarët e Kosovës nuk bazohet në asnjë raport personal. Në këtë kontekst, Xhaferi garantoi se nuk do të ketë ndonjë pengesë në komunikimin e tij me autoritetet kosovare.
“Në marrëdhëniet institucionalet nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa në komunikim institucional.” – tha ai.
“Ne përfaqësojmë qytetarët dhe institucionet e shteteve përkatëse dhe në atë kuptim raporti im me qytetarët e Kosovës nuk duhet të bazohet mbi atë raportin personal ose politik të subjektit politik të cilit i takoj me subjektin politik të cilin e përfaqëson kryeministri në Kosovë, kështuqë nuk ka dallim dhe nuk ka pengesa për komunikim dhe nuk do të ketë pengesa nga ana ime”, ka deklaruar ai.