Shumë biznese për shkak të fluksit, kërkojnë klasifikimin e hoteleve dhe rezidencave me 4 ose 5 yje.
Nga ana tjetër, nisur nga ky fluks, edhe shumë subjekte akomoduese në fushën e turizmit, kanë spekuluar deri më tani, duke i vetë-vlerësuar hotelet e tyre me 4 ose 5 yje, në përpjekje për të marrë sa më shumë turistë.
Në përpjekje për të promovuar strukturat akomoduese për një turizëm cilësor dhe për t’i dhënë fund spekulimeve të mëtejshme, qeveria, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, vendosi të përcaktojë kriteret, procedurat dhe dokumentacionin që do të duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve, si dhe i procedurës që do të ndiqet.
I gjithë ky proces do të mbikqyret nga ministria e Turizmit.
Kriteret për vlerësimin me 4 ose 5 yje
Çdo aplikues, që të marrë një vlerësim se struktura e tij akomoduese është me 4 ose 5 yje, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme si të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, e cila të ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Vlera e investimit duhet të jetë jo më të vogël se 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Përveç kësaj, struktura akomoduese duhet të menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen, i lidhur me aplikuesin me një marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.
“Aplikuese nuk duhet të jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme. Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për veprat penale të parashikuara në ligjin “Për turizmin”, si dhe të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e taksave dhe tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.”, thuhet në vendim.
Në rast se aplikuesi është një SPV ose “Bashkim operatorësh ose konsorciumi”, kriteret e kualifikimit plotësohen nga kompania mëmë/ secili entitet, sipas marrëveshjes së posaçme të lidhur.
Procedurat që ndiqen
Çdo aplikues, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, ndjek procedurat dhe plotëson dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë vendim.
Me paraqitjen e aplikimit, aplikuesi paguan tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
a) 200 000 lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special;
b) 300 000 lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special.
Ministria e Turizmit është përgjegjës për pritjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimit, ndjekjen e të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim, deri në lidhjen e marrëveshjes së zhvillimit ndërmjet autoritetit dhe aplikuesit të suksesshëm, nëpërmjet komisionit të përhershëm të vlerësimit të aplikimeve.
Dokumentacioni
Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” ka të drejtë që të aplikojë për të përfituar njërin nga këta dy statuse.
Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
“Dokumentacioni i aplikimit depozitohet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar.”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, investitori bën sigurimin e marrëveshjes, si garanci për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes së marrëveshjes nga ana e tij.
Për hotelet me 4 yje sigurimi i marrëveshjes është 240 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 4 yje prej 8 milionë eurosh). Ndërsa për hotelet me 5 yje për vlerën 450 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 5 yje prej 15 milionë eurosh).