MENU
klinika

Mund të frenojë shpopullimin e zonave rurale

Tokë pa taksa, kush investon në agroturizëm!

09.02.2024 - 13:14

Të gjithë të rinjtë dhe gratë që do të vendosin të investojnë në agroturizëm në të gjithë vendin do të përfitojnë tokë pa taksa e garanci sovrane nga shteti. Masa këto të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Agroturizmit e hartuar nga Ministria e Bujqësisë që synon fuqizimin e agroturizmit në vend dhe grave sipërmarrëse në këtë sektor.

Aktualisht potenciali i këtij sektori është i pazhvilluar, pasi kemi vetëm 25 struktura të certifikuara agroturizmi, dhe janë 31 aplikime në proces certifikimi.

Për të nxitur zhvillimin e këtij sektori është planifikuar hartimi i një ligji të posaçëm që lidhen me turizmin rural, që rregullon këtë sektor, si dhe miratimi një ligji për certifikimin e produkteve ‘Made in Albania’.

Kjo mbështetje por edhe promovimi i agroturizmit, studimi mbi punësimin në këtë sektor e deri tek bashkëpunimi me bizneset e artizanatit, do të sjellin 4-fishim të bizneseve në vend. Deri në vitin 2027, në Shqipëri do të jenë të certifikuara 100 agroturizma thuhet në strategji.

“Agroturizmi shërben si një instrument për parandalimin e shpopullimit të zonave rurale”, thuhet në strategji duke ju referuar situatës së punësimit, ku rezulton se një agroturizëm ka 9 punëtorë të përhershëm dhe 8 të tjerë sezonalë, të cilët janë më së shumti anëtarë të familjes, por edhe pjesëtarë të komunitetit vendas.

Mosha mesatare e sipërmarrësve në agroturizëm është 40 vjeç, shifra që sipas Ministrisë japin sinjale për mbajtjen e rinisë edhe në zonat rurale, por nga ana tjetër fuqizon bujqësinë pasi 60% e produkteve të ofruara nga agroturizmet prodhohen në tokat e tyre dhe bazohen në varietete vendase. Përveç se ndalon emigrimin e të rinjve, nga ana tjetër gjeneron edhe ekonomi.

“Kohëzgjatja mesatare e një vizitori në një fermë agroturizmi është 2 ditë, ndërsa shpenzimet e tij mesatare janë rreth 40 euro në ditë. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë ndërkombëtarë”, thuhet në strategji.

Disa nga sfidat me të cilat po përballet turizmi rural kanë të bëjnë me copëzimin e tokave të fermerëve dhe problemet me pronësinë, pasi për të pasur një agroturizëm duhet të kesh minimumi 1 hektar tokë, në mënyrë që të përfitosh edhe nga skemat e financimit, por edhe të marrësh kredi pranë bankave, apo të tërheqësh investime të huaja.

Problem është edhe transporti rrugor dhe vështirësia për të aksesuar bukuritë natyrore nëpër zonat rurale.

“Pengesa e parë për shijimin e këtyre zonave natyrore është vështirësia për t’i aksesuar ato, si për shkak të mungesës së një rrjeti rrugor apo mungesës së transportit publik, ashtu edhe për shkak të sinjalistikës së varfër rrugore. Problemi i infrastrukturës rrugore ndikon së tepërmi te strukturat e agroturizmit, të cilat ndodhen pothuajse të gjitha në zona të thella”, vijon strategjia.

Pengesë tjetër është mungesa e njohurive mbi pasuritë kulturore të vendit që mund të kthehen në atraksione turistike edhe pse në vend numërohen rreth 2000 monumente kulture.

“Mungesa e njohurive lidhur me to dhe vështirësia për t’i aksesuar ato ose mungesa e shërbimeve e zerojnë këtë pasuritë madhe. Gjithashtu, mungon integrimi i burimeve natyrore dhe kulturore që ofrohen nga strukturat e agroturizmit”, thuhet në dokument.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN