Evropa vazhdon të përgatitet për luftë dhe jo pa arsye. Që nga fillimi i vitit 2024, paralajmërimet e sigurisë në Evropë për synimet e ardhshme të Rusisë kanë qenë të shumta dhe alarmante. Dhe ato kanë ardhur në forma të ndryshme dhe nga zyrtarë të ndryshëm, shumë prej të cilëve njihen për maturinë e tyre. Këto paralajmërime janë nxitur pjesërisht nga planet e deklaruara të Rusisë për të vendosur mbrojtjen dhe prodhimin e municioneve në baza luftarake, diçka që vendet perëndimore, kanë luftuar për të përmbushur në përpjekjet e tyre për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus. Stërvitja më e madhe ushtarake që nga Reforger në 1988, në kulmin e Luftës së Ftohtë, ka filluat. Me 90 mijë ushtarë, 50 anije detare, 80 avionë dhe mbi 1100 mjete luftarake, NATO do të testojë për muaj të tërë aftësinë e Traktatit të Atlantikut për t’u marrë me një konflikt të mundshëm me Rusinë. Një hipotezë për t’u shmangur, por ende futuriste. Por, çdo ditë që kalon zbulon një përpjekje a projekt të ri europian, për tu përgatitur për skenaret më të errët.
“Shengeni ushtarak”
Dje, Holanda, Gjermania dhe Polonia nënshkruan një marrëveshje për promovimin e një korridori ushtarak evropian, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe Bashkimin e 27. Objektivi i kësaj nisme është të lehtësojë lëvizjen e trupave dhe pajisjeve të rënda në rasti të një krize sigurie. “Ne kemi nevojë për një marrëveshje ushtarake Shengen për të transferuar personelin dhe materialin me efikasitet dhe shpejtësi më të madhe. Kjo do ta bëjë Evropën më të fortë. Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm”, tha ministrja holandeze e Mbrojtjes Kajsa Ollongren. Falë pozicionit të saj qendror në Kontinentin e Vjetër, Gjermania do të jetë pika kryesore e logjistikës dhe do të rrisë aftësitë e saj mbështetëse, kujdesin shëndetësor dhe aftësitë e menaxhimit të trafikut dhe mbrojtjen e aleatëve që kalojnë tranzit nëpër territorin e saj. Në rast lufte midis bllokut NATO-BE dhe Rusisë, lëvizshmëria ushtarake do të luajë një rol themelor në sigurimin e gatishmërisë së reagimit të ushtrive të Aleancës Atlantike të udhëhequr nga SHBA.
Reagimi i Kremlinit
Sipas politikanit spanjoll Josep Borrell, kalimi i trupave duhet të bëhet në maksimum pesë ditë dhe një çështje kyçe është identifikimi i korridoreve të tjera si ai i nënshkruar nga Berlini, Amsterdami dhe Varshava, për të investuar në përmirësimet e nevojshme dhe në ndërtimin e qendrave logjistike. Vitin e kaluar në nëntor, kreu i komandës së logjistikës së NATO-s, gjeneral Alexander Sollfrank, paralajmëroi se burokracia po pengonte lëvizjen ndërkufitare të forcave në Evropë. “Po na mbaron koha,” i tha ai Reuters. “Ajo që nuk bëjmë në kohë paqeje nuk do të jetë gati në rast krize apo lufte”, përfundoi ai. Pas deklaratës së tij, Kremlini njoftoi se dëshira e NATO-s për të krijuar një version ushtarak të zonës Shengen në Evropë, i cili do të lejonte forcat e armatosura të aleancës ushtarake perëndimore të lëvizin lirshëm për të kundërshtuar më fort Rusinë, rriti tensionet dhe shkaktoi shqetësim.
Korridorri i ri
Përpjekjet e kombeve evropiane për të forcuar aftësitë e tyre luftarake vazhdojnë. Disa shtete, duke përfshirë Poloninë, Gjermaninë dhe Austrinë, kanë ngritur alarmin për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Moska në korridorin Suwalki, brezi i tokës që lidh enklavën ruse të Kaliningradit me Bjellorusinë, brenda dhjetë viteve të ardhshme. Sipas zyrtarëve të lartë dhe analistëve, Vladimir Putin do të përdorë armë të ndryshme hibride , duke përfshirë dezinformimin, trazirat e shkaktuara nga pakicat ruse në vendet lindore dhe flukset migratore, përpara se të nisë sulmin me forcat e rregullta. Disa zyrtarë evropianë kanë thënë se Bashkimi duhet të jetë në gjendje të mbrohet, pa llogaritur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, e cila, në rast të fitores së Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, mund të vihet në pikëpyetje. Për këtë arsye, ministra dhe gjeneralë të disa vendeve kanë propozuar krijimin e një rezerve ushtarake dhe forcimin e rrjeteve të transportit të brendshëm dhe industrisë së mbrojtjes.