MENU
klinika

Ekspertja: Jetëgjatësia e vajit, jo më shumë se dy vite

Vaji i ullirit, a i përgjigjet çmimi i lartë cilësisë?

20.02.2024 - 19:12

Ndërsa për verën, vlen shprehja: Sa më e vjetër, aq më e mirë, për vajin e ullirit nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Pedagogia dhe ekspertja Onejda Kyçyk thotë se vaji mund të ruhet për një periudhë jo më shumë se dy vite dhe kjo duhet bërë përmes garantimit të disa kushteve siç janë; ena në të cilën mbahet, niveli i dritës etj.

Vitin e kaluar pati një rënie të sasisë së prodhuar, kjo edhe për shkak të ndryshimeve klimatike. Por niveli i ulët i sasisë së prodhuar solli rrjedhimisht çmime më të larta.

Nga studio e emisionit “Box to Box”, Kyçyk tha se jo në çdo rast çmimet e larta përligjeshin me cilësi më të mirë. Ka pasur edhe abuzime, ndaj për të parandaluar qarkullimin e një produkti që ka kosto jo vetëm financiare por edhe shëndetësore për konsumatorët, duhet të intensifikohen kontrollet nga autoritetet përkatëse.

Për të dalluar cilësinë, ekspertja tregon edhe disa element, të cilët duhet të mbahen në konsideratë që kanë të bëjnë me shijen dhe aromën që duhet të ketë vaji i ullirit.

Por mospërmbushja e standardeve sa i takon cilësisë nuk ka të bëjë vetëm me një faktor. Konkretisht, diktohet nga niveli i pesticideve të përdorura, mbledhja e ullirit, mënyra sesi ruhet dhe transportohet e deri tek prodhimi dhe shitja. Në vendin tonë, ka mbi 12 milionë rrënjë ulliri, nga të cilat mbi 5 milionë janë thuajse 50 vjeçare.

Ekspertët thonë se në raport me sipërfaqen, Shqipëria ka më tepër në krahasim me vendet e rajonit, por pavarësisht kësaj ne vijojmë që të varemi nga importet, kryesisht nga Italia dhe Greqia.