MENU
klinika

Emrat

Vranë kritikun e Millosheviç, gjykata serbe liron 4 autorët

03.02.2024 - 11:22

Gjykata e Apelit e Serbisë në Beograd ka liruar dje katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në prill të vitit 1999.

Gjykata e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe i liroi Radomir Markoviçin nga akuzat për nxitjen e vrasjes së rëndë, si dhe Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin nga akuzat për bashkëpjesëmarrje në kryerjen e vrasjes së rëndë.

“Në mungesë të dëshmive të drejtpërdrejta dhe indirekte, të cilat në mënyrë gjithëpërfshirëse dëshmojnë se Markoviç, Radonjiç, Burak dhe Romiç janë fajtorë për këtë vepër penale, Gjykata e Apelit gjen se akuzat në aktakuzë nuk janë dëshmuar në mënyrë absolute”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Quruvija ishte pronar dhe redaktor i “Dnevni telegraf” (Telegrafi Ditor) dhe i gazetës javore, “Evropljanin”, (Evropiani).

Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte. Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Gjykimi për vrasjen e tij nisi në qershor të vitit 2015 gati 17 vjet pas vdekjes së tij.

Më 2019, Gjykata Speciale në Beograd i shpalli fajtorë për vrasjen e tij katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Gjykata tha se vrasësi i drejtëpërdrejtë i tij ishte një person i panjohur.

Markoviq, ish-shef i Sigurimit Shtetëror (SSH), u dënua me 30 vjet burgim për nxitje të vrasjes së rëndë.

Radonjiq, ish-shef i qendrës së SSH-së në Beograd, po ashtu u dënua me 30 vjet burgim për vrasje të rëndë. Ish-anëtarët e Sigurimit Shtetëror Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan me nga 20 vjet burgim secili për vrasje të rëndë.