Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi në një intervistë se ai synon të mbajë një politikë të pavarur kur bëhet fjalë për sanksionet anti-ruse, pavarësisht presionit të madh nga Perëndimi.
“Ne nuk po rrahim gjoksin apo diçka të tillë, por siç e shihni, përgjigja ime do të vazhdojë të jetë se ne do të përpiqemi të mbrojmë pozicionin tonë sa më gjatë. Ne ia dolëm ta bëjmë këtë për dy vjet. A do të vazhdojmë ta bëj këtë – nuk e di, por shpresoj”, tha Vuçiç në një intervistë, shkruan Euronews.rs.
Ai tha se kur filloi konflikti në Ukrainë, nuk e dinte se si do të zhvillohen ngjarjet dhe se në nivel shtetëror është marrë një vendim që Serbia do ta dënojë konfliktin, si gjithë të tjerët, por se qëndrimi do të ishte që të mos imponojë sanksionet ndaj Rusisë.
“E thashë atëherë sepse ne e dimë nga përvoja jonë se si është kur të vendosen sanksione. Ne kemi një popull mik dhe do të ishte e padrejtë të trajtonim popullin rus në këtë mënyrë,” shtoi Vuçiç.
Ai theksoi se pas saktësisht dy vjetësh nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion. Duke iu përgjigjur pyetjes për natyrën e miqësisë dhe vëllazërisë së popullit rus dhe serb, Vuçiç përmendi fjalën e urtë “Miku njihet në telashe”. Ai theksoi se si president duhet të ketë gjithmonë një qasje racionale dhe pragmatike, por se dinjiteti njerëzor dhe natyra njerëzore vlerësohen më së miri në kohë të vështira.