MENU
klinika

Jo thjesht takim, por drekë me Altin Dumanin

Zbardhet axhenda e Blinken, mbledh edhe kupolën e OPDAT!

13.02.2024 - 21:26

Mësohet se Blinken dhe Dumani do të drekojnë së bashku dhe të pranishëm do të jenë dhe përfaqësues të OPDAT me ekspertë të tjerë të ambasadës në fushën e drejtësisë…

Zbulohen detaje nga vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë. Antony Blinken pritet që paraditen e së enjtes të zbresë në Rinas, ku për disa orë do të qendrojë në vendin tonë dhe më pas do të niset drejt Gjermanisë.

Për arsye sigurie nuk është publikuar ende orari i mbërritjes në Rinas, por e sigurt është se do të pritet në mënyrë protokollare dhe ai që do ta takojë i pari është ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Më pas ai do të niset drejt Ambasadës Amerikane, nën masa të rrepta sigurie. Pritet që ditën e enjte të bllokohet qarkullimi nga Rinasi në Tiranë.

Pasi do të takohet me stafin e ambasadës, Blinken do të takojë kryeministrin Rama. Mësohet se ai do të jetë i shoqëruar nga Yuri Kim. Pas takimit do të ketë një konferencë të shkurtër për mediat dhe Blinken pritet të japë mesazhe të forta sa i takon sigurisë globale, rolit tonë në NATO, drejtësisë, Kosovës dhe sigurisë rajonale.

Më pas do të ketë një takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin, i cili do të jetë akoma më miqësor sesa u tha. Mësohet se Blinken dhe Dumani do të drekojnë së bashku dhe të pranishëm do të jenë dhe përfaqësues të OPDAT dhe ekspertë të tjerë të ambasadës në fushën e drejtësisë.

Pra duket se Blinken do të mbledhë të gjithë kupolën që këshillon SPAK dhe kjo do të thotë se do të ketë mesazhe të forta për Dumanin. Thënë shkurt, ardhja e Blinken do të jetë kambanë alarmi për politikën. Ai do t’i angazhojë të gjithë që të goditen të korruptuarit nga më i dobëti te më i forti.

Më pas Blinken do të udhëtojë në Gjermani. Pritet që sot në mbrëmje, Yuri Kim të dalë në një konferencë online me gazetarët dhe të japë ndoshta më shumë detaje