MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

1 plus 7, formula e Ramës për 800 mijë votat

24.03.2024 - 12:00

Si para se Rama të vinte në pushtet, ashtu edhe më pas, votat e vlefshme për PS-në dhe aleatet e saj të vogla (PSD, PDS, PSV-91, etj.) janë rrotulluar rreth shifrës 800 mijë në zgjedhjet parlamentrare. Madje edhe në zgjedhjet e fundit lokale, kandidatët për kryebashkiakë të përzgjedhur nga Rama (të mbështetur në terren nga PS dhe PSD) morën pothuaj 800 mijë vota të vlefshme.

Porse në zgjedhjet që po afrohen, duket se PS-ja nuk do të ketë më aleate të vogla – 800 mijë votat duhet t’i marrë e vetme, në qoftë se do që ta ruajë trendin 16-vjeçar të Ramës. Dhe fushata intensive e antarësimeve në PS, që ka shpallur ky i fundit, duket se po synon pikërisht ruajtjen e trendit.

Kur Ramiz Alia ia kaloi stafetën Fatos Nanos, partia kishte rreth 150 mijë anëtarë në regjistrat e saj. Qysh atëherë, shumë nga ata anëtarë janë larguar nga Shqipëria apo fare nga kjo botë. Të tjerë i kanë zëvendësuar, por sidoqoftë, numri total i anëtarëve është përgjysmuar – numri i fundit i publikuar mbi antarësinë e PS-së ka qenë rreth 75 mijë.

Në fillim të fushatës aktuale të antarësimeve, Rama deklaroi se deri në fund të qershorit, duhet të arrihet numri i 100 mijë anëtarëve aktivë. Dhe theksin e vuri tek kjo fjala e fundit. Pra, ai do 100 mijë anëtarë vërtet aktivë, e jo thjesht që të figurojnë në regjistrat e partisë.

Duket se në themel të këtij objektivi të Ramës është një formulë e thjeshtë arithmetike – duhet që mesatarisht, çdo anëtar aktiv të sigurojë që 7 familjarë/kushërinj/fqinj/miq të tij të shkojnë të votojnë për PS-në ditën e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, 100 mijë anëtarë aktivë të PS-së mund të sigurojnë se përveç votave të tyre në kutitë e votimit, do të jenë edhe 700 mijë të tjera – për të arritur shifrën 800 mijë!

Që numri i 100 mijë anëtarëve gjithsej do të realizohet deri në fund të qershorit, nuk vihet në dyshim. Po mbetet të shihet nëse ata 100 mijë do të jenë vërtet aktivë, ashtu siç i do Rama. Dhe kjo do vërtetohet vetëm në ditën e zgjedhjeve, nëse PS-ja i merr e vetme 800 mijë votat.

SHËNIM: Nga sondazhi i fundit që zhvillova për Report TV, ekstrapolova se përafërsisht 735 mijë banorë të rritur janë gati të votojnë qysh sot për PS-në (lexoni këtu: https://shqiptarja.com/lajm/eduard-zaloshnja-si-ndahen-votat-dhe-mandatet-parlamentare-nese-votohet-sot ).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN