MENU
klinika

”Kaseta me audion e gardistëve provë e jashtëzakonshme”

“21 Janari” në SPAK, Artan Hoxha: Krim i pastër shtetëror

12.03.2024 - 19:22

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila vendoi që “21 Janari” të hetohet nga SPAK. Hoxha ishte ai që siguroi audion e komunikimeve mes gardistëve dhe në “Top Talk” ai tha se “21 Janari” ishte një krim i pastër shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë. Sipas tij, nuk e hetonte dot prokuroria e Tiranës e vetme. Sipas gazetarit, kjo prokurori nuk kishte as burimet e mundshme, as njerëzore, as ato logjistike dhe as vullnetin për ta bërë.

“Që të hetosh të gjithë zinxhirin komandues të asaj kohe këtë gjë e bën vetëm SPAK-u dhe këmbëngulëm që këtë duhet ta bënte vetëm SPAK-u. Unë atë regjistrim ia kam çuar së pari babait të Aleks Nikës që ta dëgjonte. Për t’u bindur si ka ndodhur vrasja e djalit të tij. Nga aty kemi bërë një strategji se si do të kërkojmë që kjo çështje të shkonte në SPAK. Unë nuk ka tagrin ligjor. Ne nuk e hapim çështjen thoshin ata se nuk kemi prova të reja.

Pse duhet të kesh prova të reja, ti ke dy të vrarë pa autor. Ti nuk e ke hetuar ngjarjen. Aleks Nika dhe Hekuran Deda nuk kanë autorë. Sot autorë ka vetëm Ziver Veizi dhe Faik Myrto. Ziver Veizi është e provuar edhe shkencërisht me predhën e gjetur në trupin e tij që është shkrepur nga Shefi i Shtabit të Njësisë Speciale, Agim Lluko. Faik Myrta është vrarë nga pistoleta që ka qenë në përdorim nga Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Pra atje nuk ka vrarë një njeri i thjeshtë, por drejtuesit më të lartë të Gardës. Çfarë elementi sillte kaseta? Për mua si gazetar ajo është një provë jashtëzakonisht e madhe që dëshmon se vrasjet janë bërë nga shteti. Ne nuk ia vumë në dispozicion Strasburgut atë kasetë… Prokuroria, SPAK-u, duhet ta marrë atë sepse rrezikohet jeta e atij që ka bërë regjistrimin. Që ka regjistruar komandatin sepse ata kanë folur në një kanal sekret, ka qenë një rreth i ngushtë personash që e kanë përdorur”, tha Hoxha.