Në një intervistë televizive në Teheran më 12 shkurt, Ali Akbar Salehi – me shumë gjasa zyrtari më i lartë iranian që kombinon njohuritë dhe autoritetin në fizikën bërthamore dhe diplomaci – deklaroi se “ne i kemi kaluar të gjitha pragjet e shkencës dhe teknologjisë bërthamore”.
Salehi, ish-Ministër i Jashtëm dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, përdori një metaforë për të shpjeguar se çfarë donte të thoshte. “Po ju jap një shembull: Imagjinoni se çfarë i nevojitet një makine. Ajo ka nevojë për një shasi, një motor, një timon, dhe një kuti ku gjenden ingranazhet. Ju po më pyesni nëse ne kemi ndërtuar këtë kuti.
Unë them se po. A e kemi ndërtuar motorin? Po, por secili element i shërben qëllimit të vet”. Pra Salehi dukej se nënkuptoi, por pa e thënë hapur, se Irani i ka tashmë të gjithë komponentët e një arme bërthamore. Në fakt, ndryshimi midis një bombe si një produkt i përfunduar dhe një bombe si një koleksion i të gjithë përbërësve të saj, nuk ka praktikisht asnjë rëndësi praktike. Transformimi i saj një nga bombë e çmontuar në një armë, është një çështje teknike që mund të zgjidhet brenda disa ditëve apo edhe orëve, nëse ekipet teknike janë mjaftueshëm të afta dhe të mirë-trajnuara.
Duke mos harruar se situata e sotme nuk kërkon një test të plotë bërthamore për të verifikuar dhe siguruar besueshmërinë teknike dhe rendimentin e bombës. A i tha Salehi botës se Irani ka përparuar përtej të qenit një shtet në prag të armës bërthamore, në kuptimin që i referohen Iranit shumë ekspertë izraelitë dhe amerikanë?
Sipas këtij përkufizimi, një shtet në prag të armës bërthamore, është ai që zotëron thuajse gjithçka të nevojshme për të prodhuar një armë bërthamore, por pa pasur ende një distancë të caktuar politike dhe teknike – disa muaj apo javë – nga arma.
Kjo do të thotë se Iranit i mungon ende një vendim politik për të përfunduar punën dhe për tu bërë një shtet de jure me armë bërthamore, me ose pa prova për këtë. Sido që të jetë, deklaratat e Salehi u pritën me heshtje në Izrael.
Duket se gjatë kësaj kohe lufte, Izraeli e ka “harruar” çështjen bërthamore iraniane. Por kjo nuk i ka shpëtuar Rafael Mariano Grossi, kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), që ka reaguar menjëherë. Ai deklaroi se deklaratat e Salihit kërkonin shpjegim nga Irani.
Tek e fundit, Grossi di disa gjëra mbi të dhënat që ka (ose nuk ka) organizata e tij mbi statusin bërthamor të Iranit. Meqë ra fjala, Irani nuk e ka sqaruar ende deklaratën e Salehi.
Kush mund të garantojë se Irani nuk është shumë pranë ndërtimit të bombës qoftë edhe me një miratim të heshtur?
Regjimi i inspektimit të IAEA konsiderohet i besueshëm në lidhje me vlerësimin e inventarit të materialeve të zbërthyeshme të Iranit. Është e vërtetë që ai është dobësuar që nga tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore iraniane në vitin 2018. Megjithatë komuniteti ndërkombëtar i konsideron ende të besueshme gjetjet e agjencisë.
Sipas raportit më të fundit 3-mujor të agjencisë mbi Iranin publikuar me datë 26 shkurt, Teherani tani mund të prodhojë më shumë uranium për armë, dhe mund ta bëjë këtë më shpejt se kurrë më parë për shkak të stoqeve më të mëdha të uraniumit të pasuruar dhe kapacitetit të rritur të pasurimit.
Dhe të dhënat tregojnë se Irani mund të prodhojë tani uranium të mjaftueshëm për armë për të ndërtuar 7 bomba bërthamore brenda një muaji, 9 bomba brenda 2 muajve, 11 bomba brenda 3 muajve dhe 13 bomba brenda muajve. Për më tepër, po sipas raportit, Irani mund të pasurojë uranium të mjaftueshëm për bombën e tij të parë bërthamore brenda 7 ditësh.
Megjithatë, regjimit të monitorimit të agjencisë i mungojnë mjetet për të vlerësuar aspektet e tjera të projektit bërthamor iranian. Pra armatimin dhe sistemet e komandës dhe kontrollit që drejtojnë bombën. Në çdo projekt bërthamor, këto aspekte janë ana më e fshehtë, ndaj janë më pak të aksesueshme edhe nga shërbimet sekrete.
Është e vështirë të dihet me siguri se sa ka përparuar Irani në këto fusha. Zakonisht, si në Izrael ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, Irani konsiderohet ende një shtet në prag të ndërtimit të armës bërthamore, duke ruajtur ende një distancë të caktuar nga ajo.
Por kush mund të na garantojë se kjo është e vërtetë? A mund ta dinim vërtet nëse dhe kur Irani vendosi të ecë përpara dhe të bëhet një shtet shumë pranë kësaj arme, siç ishte Izraeli në fundin e të viteve 1960? Zakonisht supozohet dhe pritet që Irani të bëhet një shtet de facto bërthamor pasi të marrë një vendim politik për ta bërë këtë.
Por kush mund të na garantojë se nuk do të arrijë de fakto në këtë pikë, pra pa një vendim formal kombëtar, apo edhe vetëm me një miratim të heshtur, me një shkelje syri? A është kjo ajo që supozohet të nxjerrim nga deklaratat e Salehit?
Intervista e Salehit që supozohet të jetë jozyrtare, më kujtoi mua si studiues i historisë bërthamore të Izraelit, deklaratat jozyrtare të zyrtarëve të lartë izraelitë dekada më parë. Në fillim të tetorit 1968, kryeministri Levi Eshkol foli në kibucin (komunitetin) e tij, Degania, si rastësisht dhe u tha anëtarëve të tij gjëra që asnjë lider izraelit nuk kishte guxuar t’i thoshte ndonjëherë në publik.
“Izraeli zotëron njohuritë teknike për të prodhuar një bombë atomike”- u tha ai atyre, por shtoi më pas: “Gjithsesi ne jemi ende shumë larg prodhimit të bombave atomike”. Në një tjetër forum me dyer të mbyllura, Ministri i Jashtëm Abba Eban tha gjëra të ngjashme.
Në pamje të parë, këto deklarata duken si një anomali. Haaretz raportoi se ato i kanë hutuar anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët vunë në dukje se ato nuk u paraprinë nga ndonjë debat në kabinet. Por duket se të tilla deklarata, si ajo e Eshkolit apo e Salehit, janë bërë me autoritet dhe me një synim të qëllimshëm.
Ato ishin sinjale diplomatike dhe me sa duket synonin të paraqisnin ngjarje bërthamore që kanë ndodhur tashmë. Në të dyja rastet, deklaratat duket se shpallin se shteti ka arritur së fundmi një status të ri bërthamor. Nga historia bërthamore e botës, mësojmë se krizat ndonjëherë i motivojnë shtetet që të ndryshojnë statusin e tyre bërthamor.
Kjo është ajo që ndodhi me Shtetet e Bashkuara gjatë krizës së Berlinit të vitit 1948 – e cila ndryshoi statusin operacional të armëve bërthamore amerikane – dhe ajo që ndodhi në Izrael në prag të Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967. Gati brenda natës, shteti e ndryshoi statusin e tij bërthamor sipas gjeneralit Yitzhak Yaakov, gjë që u raportua shumë vite më vonë. E njëjta gjë ndodhi me Pakistanin në vitin 1999 gjatë Luftës Kargil. A krijuan ngjarjet e 7 tetorit 2023 dhe lufta pasuese në Gaza, mundësinë e artë që e ka lejuar Iranin të kapërcejë të gjitha pragjet përkatëse bërthamore dhe ta bëjë fakt të kryer, siç la të kuptohet Salehi? A duhet konsideruar tani Irani një shtet bërthamor?