MENU
klinika

Rrezik lufte në Ballkan

A rrezikon të përsëritet skenari i vitit 1999 në Kosovë?

23.03.2024 - 11:21

Paralajmërimet e fundit të Serbisë se mund të futej në Kosovë sapo të kishte mundësi, shkaktuan shumë reagime, por u dukën si thjesht përsëritje të zakonshme të retorikës kërcënuese të Beogradit. Megjithatë, duket se momenti për të cilin paralajmëroi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ardhur. Ishte një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që shkaktoi rënien e këmbanave të alarmit sërish në rajon. Kurti ka bërë të ditur se, njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut. Kurti ka publikuar një video, dhe ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes nese këto forca do të përpiqen ta kalojnë kufirin dhe shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal. Reagimet që pasuan ishin të justifikuara, herë me tone frike e herë me “ultimatume” ndaj Serbisë.

Ushtria në kufi

Menjëherë pas “numrit një” të Kosovës, edhe këshilltari politik i zëvendëskryeministrit, Ragmi Mustafi publikoi pamje të xhandarmërisë serbe në Luginë të Preshevës. Mustafi përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” ka ndarë video dhe një hartë të Kosovës ku duket aktiviteti dhe pozicionimet e ushrisë serbe. Ai ka theksuar se aktualisht në Serbi janë 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Mustafi ka shkruar se skenat si kjo tashmë janë shpeshtuar në Luginën e Preshevës. “48 baza ushtarake dhe të ‘Xhandarmërisë’ ‘forward operating’ përgjatë kufirit. E postova, jo për të përhapur frikë ose zemërim, por për të hedhur dritë mbi realitetin me të cilin po përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, shkruante Mustafi.Sidoqoftë, më vonë gjatë ditës, Albin Kurti, tha se ushtria serbe ishte larguar nga kufiri me Kosovën.

Provokimet e Beogradit

Po ditën e djeshme, pa vonuar, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”. Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.Edhe sekretari shtetëror në ministrinë e mbrojtjes Nemanja Staroviç, theksoi se në fakt ajo që ka denoncuar Kurti është një patrullë e rregullt përgjatë vijës kufitare në koordinim të ngushtë me KFOR-in. Ai tha se forcat e armatosura serbe nuk do të hyjnë kurrë ne territorin e Kosovës deri sa KFOR t’i lejojë. Sipas zyrtarit serb, kryeministri Kurti po shpik pushtimin për të vijuar me torturën dhe represionin ndaj serbëve, siç e cilësoi. Por ministri i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, thotë se Serbia nuk heq dore nga Kosova, ndërsa pretendon se vendi i tij e fitoi betejën me NATO-n në vitin 1999.

“Ultimatumi” i SHBA

SHBA nga ana tjetër, edhe një herë vërtetoi se është krah Kosovës, dhe në gatishmëri për çdo ndërhyrje apo provokim nga ana e Serbisë. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm. Ai ka thënë se një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë do të konsiderohej prej SHBA-së si rrezikim i forcave të NATO-s që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët. Sipas tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës.

KFOR në gatishmëri

Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë të premten se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, si dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse. “Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i, i cili si për ironi të fatit i kishte kujtuar Serbisë bombardimet e NATO-s në pranverën e vitit 1999, si një veprim të domosdoshëm, që mesa duket do të përsëritet pas 25 vitesh.

Të akuzuar për ndikim mbi dëshmitarët në bashkëpunim me Thaçin

Dalin sot para ‘Speciales’ në Hagë dy zyrtarët kosovarë

Do të zëvendësojnë njësitë italiane në Forcat Operacionale Rezervë

Turqia dislokon rreth 350 trupa në Kosovë

“Nuk jam pjesë e garës elektorale!“

Hashim Thaçi: S’paraqes rrezik për askënd

"Janë përfshirë grupe ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse!"

Shpërthimi në Zubin Potok, Kurti: Duan destabilizimin e Kosovës