Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj i ka dërguar një letër Gjykatës së Apelit për logon dhe vulën e Partisë Demokratike.
Agron Gjekmarkaj shprehet se prej shumë kohësh po luhet një “sagë e pandershme luhet mbi fatin Partisë Demokratike në dyer gjykatash, e cila si një ‘patate e nxehtë’ kalon sa në një nivel në në tjeter gjykimi duke mos e ndarë ligjërisht atë që është e qartë në gjithçka e për gjithkënd.”
Nënkryetari i Kuvendit shkruan se gjykatat kanë detytën që të japin drejtësi, dhe sipas tij, mënyra se si është trajtuar çështja e vulës së PD-së i ka shndërruar në perceptim organet e drejtësisë për një kohe të gjatë në aleate të pushtetit të Edi Ramës.
“Nëse nuk respektohet drejtësia shtetet kthehen në banda të mëdha hajdutësh”, shprehet Gjekmarkaj, teksa i drejtohet gjyqtarëve të Apelit: “Asnjeri prej jush nuk mund e duhet të jetë kaq guximtar sa ti dëmtojë intereësat madhore të Shqiperisë, popullit të saj dhe demokracisë, duke zvarritur një cështje që ka interes madhor publik.”
LETRA E PLOTË:
Tiranë, më 27 Mars 2024
Lënda: Mbi nevojën për trajtimin me përparësi dhe paanësi të cështjes së “Partisë Demokratike të Shqipërisë
Drejtuar: Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Të nderuar gjyqtarë,
Prej shumë kohesh një sagë e pandershme luhet mbi fatin Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës, në dyer gjykatash e cila si një “patate e nxehtë” kalon sa në një nivel në në tjeter gjykimi duke mos e ndarë ligjërisht atë që është e qartë në gjithçka e për gjithkënd. Për një parti politike në çdo manual gjenden plot përkufizime të cilat konvergojnë në faktin se aty ku është antarësia, trupa politike, deputetet, grupi parlamentar, delagatët që mblidhen në Kuvend Kombetar, Institucionet që ai prodhon nga Kryetari, Kryesia, Keshilli Kombetar, aty është sigla që e formojnë dhe perkufizojnë atë.
Gjykatat kanë detyren e shënjtë e të veshtirë të japin drejtësi. Me këtë vetëdije PD ka votuar Reformen në Drejtësi dhe ka mbështetur drejtësinë e re. Drejtesia nuk mundet e nuk duhet të sillet si palë politike. Ajo duhet të jetë e baraslarguar njësoj nga të gjithë. Mënyra se si është trajtuar çështja e ‘vules’ se PD-së i ka shndërruar në perceptim organet e drejtësisë për një kohe të gjatë në aleate të pushtetit të Edi Rames.
Opozita në çdo vend demokratik është ana tjetër e sistemit, balancuesja dhe kotrolluesja e tij. Anarkia legale për fatin e Opozitës e kompromenton rënde çdo gjykatës që është marrë me këtë çështje duke mos e zgjidhur atë në menyrë të qartë e përfundimtare duke bashkuar aktin juridik me vullnetin e antarësisë. Së fundmi Gjykata e Lartë përcaktoi me kompetencë dhe profesionalizëm sinoret ku Gjykata e Apelit duhet të mbështetet për ta zgjidhur në mënyrë definitive këtë çështje.
Fati i Opozites lidhet drejtperdrejt me fatin e Shqiperisë, me jetën demokratike në vend, me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit, me parimet universale të një demokracie liberale e funksionale. Kjo çeshtje nuk mund të zvarritet dhe nuk mund të manipulohet sepse do të ishte një atentat i mirëfilltë, një puç konstitucional në jetën politike të vendit, një prishje e rregullave demokratike të lojës, ndërhyrje në garën politike në favor të pushtetit, duke denatyruar thelbin e sistemit dhe duke minuar jetën institucionale në vend.
“Paqja kërkon katër kushte themelore: të verteten; drejtësinë; dashurinë; dhe lirinë”, na mesonte Papa i madh polak Gjon Pali. Prandaj dhe Shqiperia pret prej jush! Opozita është ajo që na ka munguar gjatë e pa të cilën ishim një popull i shtypur, një popull pa sistem drejtësie të vërtetë. Sot ju gjyqtarë të nderuar mund të kontribuoni që demokracia shqiptare të mos merret zvarre, duke u ngritur në lartesinë e misionit fisnik që kryeni, pa u bërë palë me armiqtë e opozitarizmit.
Duke shpresuar se ju do ti ktheni legalitetin PD dhe Opozitës si nocion juridik, duke njohur atë që populli dhe qytetarët ja kanë dhenë prej kohesh, ju nderoni togen, sensin e drejtesise dhe na motivoni për t’ju mbështetur sa më shumë, pa kompromis, në pavarësinë tuaj.
E verteta për Opozitën është e vërtetë për Shqipërinë dhe shtetin ligjor e demokratik. Ajo nuk mund te merret peng. Asnjeri prej jush nuk mund e duhet të jete kaq guximtar sa ti demtojë intereësat madhore të Shqiperisë, popullit të saj dhe demokracisë, duke zvarritur një cështje që ka interes madhor publik.
Nëse nuk respektohet drejtësia shtetet kthehen në banda të medha hajdutesh. Vjedhja e legalitetit të Opozites do të ishte atentati më i madh ndaj demokracisë shqiptare. Një guxim kesodore nuk duhet ta ketë asnjë qytetar i kësaj Republike që aspiron lirinë, demokracinë, prosperitetin, anetarësimin në BE dhe forcimin e miqesisë me SHBA- atë.