Një shtetas francez ndërroi jetë sot në spitalin e Traumës në Tiranë, pas aksidentit të rëndë të ndodhur në aksin Lezhë- Laç në afërsi të fshatit Spiten.
Samuel Çela pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas është arrestuar nga policia.
Viktima Alian Peron 65 vjeç nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra gjatë përplasjes së dy makinave.
Në aksident janë përfshire dy automjete, ku siç shihet edhe në pamje makinat kanë patur një përplasje të fortë duke përfunduar në të dyja anët e parcelave.
“Aksidentoi me automjetin e tij, automjetin që drejtohej nga një shtetas francez, dhe u largua nga vendi i aksidentit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari. Për shkak të dëmtimeve, shtetasi francez humbi jetën në spital.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin: S. Ç., 23 vjeç, banues në Fushë Kuqe, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se më datë 14.03.2024, rreth orës 22:30, në kryqëzimin e fshatit Spiten, me automjetin tip “Mercedes-Benz” që drejtonte, ka aksidentuar automjetin me drejtues shtetasin francez A. P., 65 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit.
Shtetasi francez është dërguar në Spitalin e Traumës, por për shkak të dëmtimeve të rënda ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.