MENU
klinika

Çfarë pritet?

Akuzat për ryshfet, caktohet data e nisjes së gjyqit kundër Trump

26.03.2024 - 09:59

Një gjykatës në Nju Jork ka caktuar nisjen e gjykimit ndaj ish-presidentit Donald Trump, më 15 prill, lidhur me rastin që ka të bëjë me pagimin e parave në këmbim të heshtjes të një ylli të pornografisë.

Gjykatësi Juan M.Merchan mori këtë vendim të hënën, më 25 mars. Gjykatësi më herët qortoi avokatët e ish-presidentit, pasi u ricaktua data e gjykimit, pasi paraprakisht ishte shtyrë nisja e gjyqit.

Merchan ka kundërshtuar atë që sugjeroi se ishin pretendime të pabaza të avokatëve të Trumpit për “sjellje të pahijshme të prokurorëve”, pasi ekipi mbrojtës i Trumpit kishte pretenduar se prokurorët deri vonë nuk bënë publike dhjetëra mijëra faqe të dhënash nga një hetim i mëhershëm federal.

Prokurorët thanë se vetëm një pjesë e vogël e të dhënave të reja janë të rëndësishme për çështjen, ndërkaq avokatët mbrojtës pretenduan se mijëra faqe janë potencialisht të rëndësishme, të cilat duhet të rishikohen.

Më herët gjatë këtij muaji, Merchan shtyu nisjen e gjykimit dhe u tha avokatëve që duhet të veprojnë më shpejtë nëse besojnë se nuk kanë të gjitha materialet që besojnë se duhet të marrin nga prokurorët.

“Ju po e akuzoni zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit dhe njerëzit e përfshirë në këtë çështje për sjellje jo të duhur prokuroriale dhe po tentoni të më përfshini dhe mua. Ju nuk keni asnjë provë për këtë”, tha ai.

I nominuari republikan për president të SHBA-së mori pjesë në seancën gjyqësore për caktimin e nisjes së gjyqit, që është rasti i parë nga katër raste penale ndaj tij që pritet të përfundojnë në gjykatore.

Kjo seancë u mbajt në të njëjtën ditë që Trump dhe ekipi i tij ligjor morën një lajm të mirë nga një gjykatë e apelit në Nju Jork, që u pajtua të pezullojë mbledhjen e 454 milionë dollarëve gjobë për një rast për mashtrim civil, nëse ai paguan 175 milionë dollarë brenda 10 ditësh.

Rasti për pagesat për heshtje, që u ngrit vitin e kaluar nga prokurorët në Nju Jork, ka një rëndësi të madhe pasi duket se është rasti i vetëm ndaj Trumpit që do të shkojë në gjykim në muajt në vijim.

Trump është deklaruar i pafajshëm për akuzat se ka falsifikuar të dhënat e biznesit. Prokurorët thonë se Trump bëri pjesën e tij në përpjekjet për të mbrojtur fushatën e tij më 2016, për të fshehur atë që ai thotë se ishin histori të rreme të raporteve seksuale jashtëmartesore. Të hënën, Trump përsëriti për gazetarët pretendimin e tij se rasti ishte një “gjueti shtrigash”.

Rasti ka në qendër pretendimet se Trumpi regjistroi në mënyrë të rreme pagesat prej 130.000 dollarësh si tarifa ligjore për kompaninë e tij “për të fshehur sjelljen e tij kriminale dhe të të tjerëve”, u tha në dokumentet gjyqësore.

Paratë shkuan te avokati i atëhershëm personal i Trumpit, Michael Cohen, por prokurorët thanë se paratë nuk u përdorën për punë ligjore. Sipas tyre, këto para Cohen i mori për të rikuperuar paratë që i kishte paguar aktores së filmave pornografik, Stormy Daniels, në emër të Trumpit. Prokurorët thanë se paratë iu dhanë aktores në mënyrë që ajo të mos fliste publikisht për pretendimet e saj se kishte pasur raporte seksuale me Trumpin vite me parë.

Avokatët e Trumpit thonë se pagesat ndaj Cohen ishin bërë për shkak të punëve ligjore dhe jo për të mbuluar ndonjë rast.

Cohen u deklarua fajtor më 2018 për akuza federale, përfshirë shkelje të financimit të fushatës që lidhen me paratë e paguara ndaj Daniels. Ai ka deklaruar se Trump e ka udhëzuar atë për të paguar aktoren. Cohen tani është një prej dëshmitarëve kyçë në rastin kundër Trumpit. /REL