Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Zbardhen detaje nga seanca e mbajtur ditën e sotme ku Jorgo Goro nuk ka pranuar të japë sqarime.
Nëpërmjet avokatit tij mbrojtës, Goro ka mohuar akuzat e SPAK, teksa ka pretenduar se ka firmosur vetëm disa shkresa përcjellëse, për qartësimin e statusit të sipërfaqes së tokës në bazë të një VKM-je të vitit 2015.
Avokati mbrojtës Sokol Hazizaj i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie, duke pasur parasysh gatishmërinë e Goros për të bashkëpunuar me SPAK sa herë ishte nevoja për të dhënë sqarime.
Ndërsa prokurori i posaçëm, Olsian Dado, pyeti në seancë ish-juristin e kadastrës Vezir Gjikokën, se si ka mundësi që kësaj praktike i është dhënë zgjidhje në harkun kohor të 5 ditëve.
Sipas prokurorit të SPAK, veprimet dhe mos-veprimet e zyrtarëve dhe institucioneve kanë sjellë si pasojë regjistrimin e 10 mijë metrave katror tokë, që më pas kaloi për investime strategjike.
Për kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, mbeti në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”.
Gjyqtarja Rudina Palloi ndryshoi masën e “Arrestit në shtëpi” për ish-drejtorin e ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj në “Detyrim paraqitje”.
Ndërsa për ish-juristin e Kadastrës Vlorë Vezir Gjikokaj u la në fuqi “Arresti në shtëpi”.
Arrestimi i Goros vjen pasi kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri i cili ndodhet në burg, e ka kallëzuar penalisht Jorgo Goron, se ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Kryebashkiaku i Himarës akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë.
Ndërkohë që më herët SPAK ka sekuestruar sipërfaqen e tokës prej rreth 5 mijë metrash katror.