Avokati Edmond Petraj tha se shqiptarët në Greqi arrestohen dhe gjykohen pa prova. Në një intervistë për “Abc News”, ai u shpreh se nuk ka barazi në trajtimin e të dënurave në Greqi.
Sipas avokatit, janë evidentuar të paktën tetë raste kur shqiptarët janë lënë në burg edhe pas përfundimit të dënimit.
“Ka shumë procese ku shqiptarët arrestohen pa prova, gjykohen pa prova, pa përkthyes. Janë disa procese të cilat, shqiptarët nuk marrin vesh për çfarë u kapën, për çfarë futen në burg. Ideja është se nëse nuk ngrihet një ekip për të analizuar, shteti shqiptar duhet të kujdeset për të gjithë shqiptarët në të gjithë burgjet e botës. Shqiptarët gjenden në situatë të paprecedentë. Pa përkthyes, ose me përkthyes që nuk dinë mirë shqipen. Gjëra skandaloze. Kemi fakte, kanë vdekur njerëz që i kanë rrahur gardianët. Shqiptarët po konsiderohen mall pa zot, nuk llogariten fare, ka një lloj situate e cila duhet të marrë fund. Janë raste skandaloze. Situata duhet të ndryshojë. Vetëm 6 muaj më parë, kemi evidentuar 8 raste, që janë harruar në burgjet greke. Duhet të jetë te 2200-2400 raste në total”, tha ai.