MENU
klinika

Dritan Hila

Beleri, kënga e fundit

05.03.2024 - 20:42

Sot është dënuar me 2 vite burg Fredi Beleri, kandidati i aleancës së Berishës dhe Metës me partinë e Vangjel Dules.

Ishte një kandidat që ia zhveshi çdo retorikë nacionaliste, konservatore, patriotike të gjithë këtyre personazheve. Por kjo tashmë pak rëndësi ka. Tjetër kund qëndron simbolika e dënimit të Fredi Belerit.

Pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm ndaj Ramës, të qeverisë greke dhe vetë kryeministrit të saj, Micotaqis, drejtësia shqiptare dha një produkt që nuk ishte parë më herët, duke i bërë ballë presionit të Greqisë, sikurse edhe asaj të opozitës dhe mediave të rreshtuara në krah të saj.

Vetë qeveria shqiptare i doli në mbrojtje drejtësisë. Rama e mbrojti politikisht brenda dhe jashtë vendit SPAK-un dhe GJKKO-në. Vështirë se kjo i përkthehet në kapital elektoral pasi nacionalizmi nuk ka rrënjë në Shqipëri, por pas çështjes së detit kjo është hera e dytë që Rama i bën ballë presionit të Greqisë. Duke i shtuar punimet për Korridorin e Tetë që po vijojnë në segmentin Elbasan-Qafë Thanë, ky është akti i tretë dhe i fundit i shkëputjes së Shqipërisë nga ndikimi i Greqisë.

Një faktor ndihmës për Ramën është edhe emigracioni. Ai që ka mbetur në Greqi nuk mund të përdoret për presion në stilin e operacioneve “Fshesa” të dikurshme. Tashmë shqiptarët në Greqi janë integruar dhe shumë prej tyre edhe asimiluar, por nuk e kanë harruar origjinën. Opinioni i shëndoshë grek nuk punon me kutin e ekstremistëve dhe ky është një faktor tjetër.

Emigracioni shqiptar në Itali, Gjermani, por sidomos në Britani dhe SHBA është fuqizuar ekonomikisht dhe tashmë kërkon një identitet. Harrojeni shqiptarin që ndërron emrat apo besimin për dokumente apo ndroje nga përbuzja. Tashmë ata janë jo vetëm burim remitancash, por edhe një potencial ekonomik për vendin, çka është parë në investimet e tyre në turizëm, por që do shikohet shumë shpejt edhe më fort.

Forcimi i marrëdhënieve të Ramës me SHBA-në dhe me Turqinë, ardhja e Melonit në fuqi dhe politika e saj agresive në arenën ndërkombëtare, e kanë ndihmuar Shqipërinë që mos mbajë sytë te humori i Athinës dhe kërkesat e saj. Beleri është heroi i fundit i Megali Idhesë. Jo vetëm ai, por as Athina zyrtare nuk e kishin kuptuar se një epokë po merrte fund dhe një tjetër po vinte. Sa më shpejt ta kuptojë Athina që te Shqipëria duhet të shikojë një partnere dhe jo një vasale, aq më mirë do të jetë për të. Në të kundërt, le të rrojë me fantazmat e së shkuarës të cilat, fundja do t’i prishin gjumin asaj, por jo shqiptarëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”