Planet ambicioze për të ndërtuar një qytet utopik të qëndrueshëm “buzë një vullkani aktiv japonez” janë në rrugën e tyre drejt përfundimit.
I prezantuar për herë të parë në vitin 2021, Toyota ka punuar shumë për të ndërtuar qytetin e tyre pak kilometra larg nga malit Fuji në ishullin Honshū, për 2,000 banorët e parashikuar që pritet të zhvendosen para fundit të vitit.
Lajmi për përfundimin e afërt të projektit vjen jo shumë kohë pasi u shpërndanë fotot e progresit që po bëhet në projektin gjigant të Arabisë Saudite “Qyteti pasqyrë – The Line”, megjithëse ato nuk janë të vetmet megaqytete aktualisht në ndërtim në mbarë botën.
I vlerësuar si një “eksperiment masiv njerëzor”, Woven City do të sigurojë një “laborator të gjallë” për Toyota-n për të testuar prototipet e automjeteve të tyre të reja.
Prodhuesi i makinave pret të mbledhë të dhëna nga përdorimi i këtyre makinave pa shofer, të udhëhequr nga sensorë, në drita, ndërtesa dhe rrugë në të gjithë qytetin.
Kjo do t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë modelet në raport me trafikun e automobilave dhe të këmbësorëve.
“Woven City” gjithashtu pritet të shfaqë “shtëpi të zgjuara” që funksionojnë pothuajse tërësisht me hidrogjen, duke reduktuar emetimet në mënyrë që ky vendbanim, me çmimin e tij të jashtëzakonshëm prej 7.8 miliardë funte (rreth 1 trilion dollarë), të jetë sa më i qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit.
Akio Toyoda, presidenti i Toyota-s, ka thënë: “Ndërtimi i një qyteti të plotë nga themeli, edhe në një shkallë të vogël si ky, është një mundësi unike për të zhvilluar teknologjitë e ardhshme, duke përfshirë një sistem operativ dixhital për infrastrukturën e qytetit”.
“Me njerëzit, ndërtesat dhe automjetet të gjithë të lidhur dhe duke komunikuar me njëri-tjetrin përmes të dhënave dhe sensorëve, ne do të jemi në gjendje të testojmë teknologjinë e lidhur me Inteligjencën Artificiale si në sferën virtuale ashtu edhe në atë fizike, duke maksimizuar potencialin e saj”.
Siç bëhet e ditur, përveç kësaj teknologjie të fundit, shumica e ndërtesave në qytet do të ndërtohen në stilin tradicional japonez prej druri.
Thënë kështu, edhe këto teknika artizanale do të ekzekutohen nga robotë të programuar posaçërisht për të kryer punën e rëndë.