Pas pak Më 27 mars 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hap aplikimet për fermerët në Skemen Kombëtare të mbështetjes së tyre për këtë vit. Përparësi e qeverisë këtë vit janë ata fermerë që do të bashkohen, për të prodhuar të njëjtin produkt. Për shembull, Skema vijon të mbështesë me financim të drejtpërdrejtë naftën për fermerin, çka minimizon kostot e fermerëve për punimet e mekanizuara në fermë.
Këtë vit, nafta do të shpërndahet nëpërmjet pagesës në lekë për ha, në llogarinë bankare të çdo bujku-fermer fitues, e përllogaritur në bazë të normativave të konsumit të naftës, për sipërfaqe më të mëdha se 1 ha. Të mendojmë se kemi bujq-fermerë me sipërfaqe më të vogël se 1 hektar dhe të tillë kemi shumë. A duhen përjashtuar këta nga ndihma për naftën në bujqësi. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë një qasje të zgjuar, duke mos i përjashtuar me dhjetëra mijëra fermerë të tillë. Ajo ju ka dhënë atyre mundësi të përfitojnë nga subvencioni i naftës, nëse bashkohen në prodhim.
Për shembull, nëse kemi tre fermerë me nga gjysëm hektari tokë seicili, po të bashkohen, e përfitojnë seicili ndihmën në naftë. Pasi të bashkuar, sipërfaqja del 1.5 hektarë. Bashkimi i fermerëve në bujqësi dhe zhvillim rural nuk nënkupton bashkim pronash, por bashkim interesash dhe prodhimi, sepse vetëm kështu mund të rritet shkalla e ekonomisë së vogël bujqesore tek ne, të kryhet automatizimi i prodhimit dhe të synohet i njëjti treg. Regjistrimi me NIPT, pra me numër fiskal identifikimi për fermerin është kusht, për të përfituar ndihmë shtetërore. Sot janë 97 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, në krahasim me vetëm 4 mijë NIPT-e fermerësh në vitin 2013. Qeveria synon të aplikojnë rreth 70 mijë fermerë, ose afro 80 përqind e numrit total të fermerëve të formalizuar.
Çdo vit, skemat e mbështetjes kanë nxitur formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë bujqësore dhe të prodhimit bujqësor. Bujqit-fermerë që punojnë në sektorët që do të mbështeten, e kanë të dosmosdoshme ndihmën me subvencion shtetëror, nisur nga shumë arësye. Arësyen kryesore e përbëjnë faktorët objektivë, si rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar dhe atë vendas. Kjo rritje ka ndikuar në shtimin e kostos së produkteve për fermerin tonë. Kështu që është domosdoshmëri që në momente të caktuara dhe në vlera të caktuara të zinxhirit të vlerës së ushqimit, të ndërhyjmë me subvencion nga Shteti.
Këtë qëllim kanë të tetë masat e Skemës së Mbështetjes Kombëtare nga fondet e Buxhetit të Shtetit këtë vit. Janë pesë sektorë kryesorë të bujqësisë dhe prodhimit tonë rural, që nuk munden që me kostot e tyre, të realizojnë një prodhim me një çmim të përshtatshëm për konsumatorin. Me Skemën Kombëtare 2024, bujqësia në serra mbështetet në vlerën 200 mijë lekë ose 1,920 euro për hektarë, për sipërfaqe 1 deri në 5 hektarë. Për herë të parë këtë vit, janë eliminuar tavanet e aplikimit. Fermerët me sipërfaqe më të mëdha se 5 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit, për çdo hektar mbi 5 hektarët. Aplikuesit në grupimet e bashkimit të fermerëve, do të përfitojnë të parët, çka nënkupton se qeveria synon të ndihmojë dhe të nxisë bashkimin e fermerëve, për të realizuar ekonomi të shkallës në prodhimin bujqësor.
Ndihma per naften do të realizohet gjatë gjithë vitit, duke synuar edhe formalizim më të lartë të fermerëve në këtë Skemë. Fermerët me sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit për çdo hektar mbi 10 hektarët. Edhe këtë vit, disa sektorë të eksporteve bujqësore po përjetojnë vështirësi të dukshme dhe ato duhen ndihmuar me përparësi nga Skema e mbështjetjes shtetërore, në pritje të riaktivizimit të fondeve IPARD II dhe të nisjes së fondeve IPARD III. Prandaj dhe rikthehet mbështetja për sektorin e bimëve aromatike dhe medicinale, një sektor i rëndësishëm në eksportet tona bujqësore, me 30 mijë lekë ose 288 euro për ha, për 1 deri në 10 hektarë sipërfaqe.
Sërisht, fermerët që kultivojnë sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit për çdo hektar mbi këtë sipërfaqe. Fermat me lopë mbështeten në vlerën 10 mijë lekë ose 96 euro për krerë, për tufa me 10 deri në 50 krerë lopë, ndërsa për çdo krerë mbi 50 lopë, jepet 50 përqind e financimit, duke nxitur më shumë rritjen e tufave, shtimin e prodhimit të qumështit dhe realizimin e një ekonomie shkalle në blegtori. Fermat me dele dhe dhi mbështeten në vlerën 1200 lekë ose 11.5 euro për krerë, për tufa me 50 deri në 300 krerë. Jepet 50 përqind e financimit për çdo dele e dhi mbi 300 krerë.
Në dispozicion të Skemës Kombëtare janë për momentin 31 milionë euro, por me aplikimet e shumta të bujqve dhe fermerëve tanë, kjo shumë mund të dyfishohet nga qeveria. Prandaj ia vlen me të tepërt që fermerët tanë t’i besojnë Skemës. Sipas Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar(KASH), janë mbi 100 mijë bujqit dhe fermerët që i plotësojnë të gjitha kushtet të aplikojnë. Ata e dinë mirë vetë se ç’do të bëjnë, por të bashkuar do të shohin se fitojnë shumë më tepër.