MENU
klinika

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KE

Çfarë pritet të ndodhë sot në mbledhjen e Komisionit

27.03.2024 - 13:40

Një ditë e rëndësishme kjo e sotmja sa i përket procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vetën një pikë të rendit të ditës, atë të aplikimit të Kosovës në KiE, kryesisht raportin e Dora Bakoyannis.

Mbledhjen e Komisionit e kanë konfirmuar ditë më parë për Telegrafin nga Këshilli i Evropës, gjersa sot në agjendë të këtij Komisioni është kjo pikë e rendit të ditës. Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30 deri në 17:30. “Pasi të miratohet nga Komisioni, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja”, bën të ditur nga Këshilli i Evropës. Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se në rend dite është opinioni statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore (51) 30.

Raportuese është Dora Bakoyannis. Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në një mbledhje të ekzekutivit bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit. Ai pati njoftuar se lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve…. të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, ishte shprehur Kurti. Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës (27.03.24) Dora Bakoyannis, raportuese e Këshillit të Evropës (KiE) për Kosovën në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman socialdemokrat Frank Schwabe është optimist për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Schwabe ka folur për shansin historik të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, gjersa theksoi se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. “Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë deputeti gjerman në një intervistë për Deutsche Welle.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk varet nga ju anëtarësimi në KiE"

Eurodeputetja përplaset ashpër me Bërnabiç për Kosovën