MENU
klinika

Bisedimet në Bruksel

DASH: Diskutimet për dinarin të vazhdojnë me urgjencë

20.03.2024 - 10:14

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel, tha të martën në mbrëmje se diskutimet Kosovë – Serbi për dinarin serb duhet të vazhdojnë me urgjencë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në ditën kur palët u mblodhën në Bruksel për të diskutuar çështjen e dinarit dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Këto janë bisedime që ne i mirëpresim dhe ato po zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel sot, dhe përfshijnë një diskutim të rregulloreve të reja të Bankës Qendrore të Kosovës mbi përdorimin e monedhave. Këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë”, tha zoti Patel.

Ai ritheksoi shqetësimet e ngritura nga Shtetet e Bashkuara lidhur me një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa të gatshme, që nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e perëndimit për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

Zoti Patel tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara dërguan në rajon diplomatin Gabriel Escobar, në një përpjekje për ripërtëritjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë në bazë të një marrëveshjeje të arritur në vit më parë në Bruksel dhe në Ohër dhe për të gjetur një zgjidhje rreth përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Javën që vjen çështja e dinarit pritet të diskutohet në një takim të palëve në Bruksel. /VOA