Është zbardhur dëshmia e Princ Lekës në polici, i cili ka kallëzuar ditën e djeshme (6 mars) ish-bashkëshorten, Elia Zaharia dhe babain e saj, Gjergj Zaharia për dhunë, duke kërkuar urdhër mbrojtje.
Panorama.al ka siguruar dëshminë e Princ Lekës ku ka treguar detaje nga konfrontimi fizik mes tyre në rezidencën e Familjes Mbretërore në rrugën “Murat Toptani”. Në padinë në komisariatin numër 1 të Tiranës, i ka deklaruar se ka shkuar në banesën e tij për të takuar vajzën, Princeshë Geraldinën, të cilën e ka me ish-bashkëshorten Elia Zaharia.
Por, shtoi ai, në momentin që ka takuar të bijën 3-vjeçare është përballur me fyerjet dhe kërcënimet e ish-vjehrrit të tij, Gjergj Zaharia.
Sipas Princ Lekës, babai i ish-bashkëshortes iu është drejtuar duke i thënë që: “Ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.
“Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendojë e kërcënojë, sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën”, ka deklaruar ai, teksa shtoi se situata ka agravuar dhe ish vjehrri e ka dhunuar, duke e goditur me statujë dhe duke i grisur xhupin.
“Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, pretendoi Princ Leka.