MENU
klinika

Nga normalizimi i seancave plenare te komisionet parlamentare

Detajet e negociatave mes PS-PD

07.03.2024 - 18:45

Deklarata e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila ftonte deputetët të drejtuar në Kuvend nga Gazment Bardhi për të gjetur dakordësi, riktheu vëmendjen te thirrjet e vazhdueshme për dialog që janë bërë shpesh-herë për të kthyer në normalitet Kuvendin.

Burime për gazetaren Daniela Maloku bëjnë me dije se prej disa ditësh Partia Socialiste dhe Gazment Bardhi po negociojnë për t’u ulur e për të biseduar për kërkesat me të cilat grupi i Rithemelimit kushtëzon normalitetin e jetës parlamentare.

Sipas burimeve, PS mund të pranojë disa prej komisioneve parlamentare të kërkuara prej opozitës dhe që janë 1 prej 3 kërkesave të bëra nga deputetët e drejtuar nga Gazment Bardhi.

Negociatat janë nxitur edhe nga faktori ndërkombëtar, që prej muajsh i kërkon opozitës e maxhorancës të gjejnë rrugën e dialogut për të kthyer funksionalitetin e plotë në parlament.

Sa i takon dy kërkesave të tjera, që Bardhi parashtron prej 5 muajsh në parlament, është ajo për t’u njohur si kryetar i grupit, të cilën maxhoranca ndonëse e ka lënë pa përgjigje, e ka pranuar, pasi fton atë si kryetar të grupit në mbledhjet e konferencës së kryetarëve apo në aktivitet e tjera parlamentare.

Më e vështira për t’u plotësuar është kërkesa që lidhet me bashkë-drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku punën socialistët e vijojnë me Enkelejd Alibeajn e PD zyrtare ndërsa nuk kanë pranuar kërkesën e grupit të Rithemelimit për të zëvendësuar Alibeajn me Bylykbashin e Rithemelimit.