Eksperti i Sigurisë, Faik Basha, është shprehur se Lufta e Tretë Botërore ka fulluar dhe po vijon përshkallëzimi i saj.
Komentet Basha i bëri në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, ku tha se bota është e ndarë në dy kampe kryesore, një i kryesuar nga SHBA dhe tjetri nga Rusia.
Ai tha gjithashtu se veç Ukrainës, vatër tjetër konfliktesh është edhe Ballkani, pasi sipas tij, Serbia ka 40 baza ushtarake të fuqishme dhe nga momenti në moment mund të shpërthejë konflikti.
“Ka filluar lufta e tretë botërore, por përshkallëzimi i saj është në vijim. Ka një bashkëpunim të ngushtë mes Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut, Indisë dhe Iranit. Ukraina po ndihmohet deri tani nga NATO, kryesisht BE dhe SHBA. Kjo ka sjellë një pengim, por as fitoren e Ukrainës dhe as të Rusisë.
Rusia po përpiqet të avancojë në drejtim të Ukrainës. Nëse Rusia do të avancojë, Ukrainës do i duhen 3 herë më shumë forca. Atëherë NATO do të duhet të ndërhyjë.
Në Moldavi është një komunitet rus atje që është gati të përshkallëzojë konfliktin. Në Serbi ka 40 baza ushtarake shumë të fuqishme. Askush të mos mendojë se situata është shumë e qetë dhe të themi që nuk do të ketë problematika mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Basha.