MENU
klinika

Analiza

Evropa është e papërgatitur për një konflikt ushtarak me Rusinë

27.03.2024 - 09:30

Në fillim të këtij viti, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Suedeze, Mikael Buden, u bëri thirrje qytetarëve suedezë që të përgatiten për luftë. Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Civile, Karl-Oscar Bolin, e lidhi drejtpërdrejt kërcënimin ushtarak me veprimet e Vladimir Putinit në Ukrainë.

Shqetësimet mbi luftën u bënë virale në mediat sociale, dhe spitalet përjetuan një fluks fëmijësh dhe adoleshentësh të mbërthyer nga paniku. Më pas nga qarqet politike dhe ushtarake evropiane pati një valë deklaratash alarmante në lidhje me perspektivën e një lufte të afërt.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius paralajmëroi mbi nevojën për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm nga Vladimir Putin ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, gjenerali Patrick Sanders, bëri thirrje për një “mobilizim kombëtar” në përgjigje të kërcënimit rus.

Shifrat: Evropa është e papërgatitur për një konflikt

Duke pasur parasysh humbjet që vazhdon të pësojë Rusia në Ukrainë, ekspertët bien në përgjithësi dakord se forcave të saj të armatosura do t’u duhen 6-10 vjet për të rivendosur gatishmërinë e tyre luftarake në një nivel të mjaftueshëm, qoftë edhe për një konflikt të kufizuar me NATO-n.

Pistorius përmend një interval prej 5-8 vjet. Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen priret drejt një diapazoni kohor prej 3-5 vitesh. Komandanti i ushtrisë norvegjeze, gjenerali Eirik Kristoffersen, vlerëson se kjo do të ndodhë për një periudhë 2-3 vjeçare.

Situata tensionohet edhe nga deklaratat tronditëse të kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, që tha hapur se do ta inkurajojë Rusinë të angazhohet në veprime agresive (“Të bëjë çfarë të dojë”) kundër atyre vendeve të NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen, pra më pak se 2 për qind të PBB-së.

Në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih mbajtur pak javë më parë, pati një konsensus të përgjithshëm se rendi i vendosur pas vitit 1991 jo thjesht po sfidohet, por ka pushuar së ekzistuari. Dhe natyra e rendit të ri mbetet e pasigurt.

Krahasimi që i bëri kryeministri polak Donald Tusk epokës aktuale me një periudhë “të para luftës” që zëvendëson “epokën e pasluftës”, vizaton paralele të qarta deri në prag të nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Pra peizazhi aktual ndërkombëtar i bën jehonë viteve 1930 shumë të trazuara, kur bota u përball me konflikte dhe kriza të shumta të njëkohshme në një sërë kontinentesh.

Zgjerimi territorial i Gjermanisë dhe aleatëve të saj në Evropë dhe Afrikë, së bashku me pushtimin japonez të Kinës. Sot, luftërat e nxehta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme na ofrojnë një model të ngjashëm. Ndërkohë, institucionet që synojnë të ruajnë stabilitetin –  asokohe Lidhja e Kombeve, sot Kombet e Bashkuara – janë dëshmuar të paafta për t’i dhënë fund konflikteve.

Pyetja urgjente, e shtruar nga ekspertë dhe gazetarë, është nëse Evropa është e përgatitur të mbrohet kundër agresionit rus pa ndihmën e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Gjatë 30 viteve të fundit, vendet evropiane kanë reduktuar ndjeshëm shpenzimet ushtarake.

Ato kanë pakësuar ushtritë e tyre, e kanë braktisur rekrutimin dhe kanë asgjësuar ose shitur vendeve të treta sasi të mëdha pajisjesh dhe armatimesh ushtarake. Fundi i Luftës së Ftohtë  çliroi burime kolosale: të gjitha ushtritë në mbarë botën (dhe jo vetëm ato evropiane) iu nënshtruan proceseve të ngjashme të zvogëlimit dhe riorientimit drejt misioneve kundër kryengritjes dhe atyre humanitare, pasi gjasat për një luftë të madhe midis shteteve konsideroheshin të papërfillshme.

Sipas vlerësimeve të kompanisë McKinsey, gjatë viteve 1992-2022 evropianët kursyen nga mbrojtja 1.6-8.6 trilionë dollarë. Kjo shumë cilësohet shpesh si “dividendi i paqes” sepse shpenzimet e planifikuara më parë për sektorin e mbrojtjes reduktohen, dhe mund të ridrejtohen për nevoja të tjera, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

Gjatë kësaj periudhe madhësia dhe aftësia e forcave të armatosura evropiane u reduktua disa herë. Platformat më të shtrenjta dhe efektive, por shumë më të pakta në numër zëvendësuan modelet e çmontuara. Në veçanti, numri i tankeve në shërbim midis vendeve kryesore (Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Spanja dhe Turqia) ka rënë nga 18.941 në vetëm 4.362, ai i avionëve luftarakë nga 3.660 në 1.586, dhe ai i anije luftarake të mëdha nga 180 në 109, dhe i nëndetëseve nga 107 në 57.

Çmontimi i pajisjeve të epokës së Luftës së Ftohtë dhe zëvendësimi i ngadaltë i sistemeve të vjetra me pajisje të teknologjisë së lartë është kombinuar enkas për të siguruar që armatimet e vjetruara të zënë ende pjesën më të madhe të forcave të armatosura.

Por reduktimet kanë ndikuar gjithashtu në madhësinë e forcave të armatosura. Në vitin 1991, gati 1 milionë ushtarë të NATO-s ishin të vendosur vetëm në Evropën Qendrore dhe Veriore.

Në fundin e viteve 2010, ky numër ishte nën 400.000. Edhe pse numri i përgjithshëm i personelit të forcave të armatosura në vendet anëtare evropiane të NATO-s është mbi 2 milionë, Turqia numëron 460.000 prej tyre.

Franca, me vetëm 200.000 trupa aktive, përfaqëson ushtrinë më të madhe në kontinent. Si rezultat, ushtritë evropiane quhen shpesh me ironi si “ushtritë bonsai”, pra si versione në miniaturë të ushtrive të vërteta. Që nga viti 1990, është zvogëluar vazhdimisht edhe industria e madhe evropiane e mbrojtjes, duke humbur disa nga aftësitë e saj thelbësore.

Për shembull, që nga viti 2008, Evropa ka pasur në thelb vetëm një linjë prodhimi për tanket kryesore moderne të betejës, atë të tankut gjerman “Leopard 2”. Deri në shkurtin e vitit 2023, kapacitetet prodhuese të të gjitha vendeve të BE-së mund të prodhonin vetëm rreth 230.000 municione artilerie në vit, ose afro sa norma mujore e konsumit të tyre gjatë luftës në Ukrainë.

Franca është aktualisht në gjendje të prodhojë vetëm 2.000 predha artilerie në muaj dhe po planifikon ta rrisë prodhimin në 3.000 njësi. Por në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë, kjo sasi do të mjaftonte vetëm për një ditë operacione luftarake, duke reduktuar në maksimum përdorimin e municioneve.

Ndaj nuk është e çuditshme pse vendet e BE-së nuk e përmbushën dot premtimin e tyre për t’i dorëzuar 1 milionë municione artilerie Forcave të Armatosura të Ukrainës deri në marsin e vitit 2024. Gjatë gati 2 viteve luftë, ata arritën të dërgonin vetëm 300.000 fishekë të kalibrit 155 mm.

Dhe me gjithë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, vendet e NATO-s (me përjashtim të SHBA-së) i rritën shpenzimet e tyre të mbrojtjes me vetëm 2 për qind në vitin 2022 dhe me 8.3 për qind në vitin 2023. Vetëm 11 nga 31 vendet anëtare plotësojnë kërkesën për të shpenzuar të paktën 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen.

Pra Evropa nuk është e përgatitur si duhet për një luftë klasike që kërkon sasi të konsiderueshme pajisjesh dhe municionesh. Dhe në mungesë të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të SHBA-së, vendet evropiane do ta gjenin veten të pambrojtur, veçanërisht në konflikte jo- konvencionale siç janë luftërat bërthamore.

Fuqitë bërthamore evropiane, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku kanë vetëm 500 koka luftarake, më pak se 1/10 e arsenalit rus. Nga ana tjetër, doktrina historike bërthamore e Francës nuk u fokusua në përdorimin e numrit të kufizuar të municioneve speciale në fushën e betejës por u përqendrua në kërcënimin e goditjes së qyteteve sovjetike për ta penguar BRSS të sulmonte Francën.

Megjithatë, lindin shumë pikëpyetje se sa efektive mund të jetë kjo strategji, për mbrojtjen jo    vetëm të interesave franceze, por edhe atyre “pan-evropiane”. Në diskutimin e doktrinës bërthamore evropiane, “The Economist” vë në dyshim nëse presidenti Emmanuel Macron është i përgatitur të “sakrifikojë Tuluzën për të mbrojtur Talinin”.

S’mund të thuhet se Evropa është e pavetëdijshme për seriozitetin e situatës aktuale. Para syve tanë po përmbysen prirjet e vjetra: lufta industriale është rikthyer në kontinentin evropian; një konflikt në shkallë të gjerë me Rusinë, dikur një kërcënim hipotetik, është bërë sot një mundësi shumë reale; dhe NATO ka gjetur më në fund një rëndësi të re pas zhdukjes së kundërshtarit të saj të mëparshëm, Paktit të Varshavës.

Sipas vlerësimit të McKinsey, rritja totale e shpenzimeve ushtarake në Evropë nga viti 2022 deri në 2028-ën do të arrijë në 700-800 miliardë dollarë. Porositë e kombinuara të 7 kontraktorëve më të mëdhenj evropianë të mbrojtjes arritën në 300 miliardë dollarë deri në fund të vitit të kaluar.

Pritet që deri në vitin 2025, vëllimi i prodhimit të predhave të artilerisë së kalibrit 155 mm të rritet në 1.25 milionë në vit. Komisioni Evropian ka prezantuar strategjinë e parë të mbrojtjes.

Sipas draft-dokumentit, deri në vitin 2030, vendet anëtare të BE-së do të shpenzojnë minimalisht gjysmën e shpenzimeve të tyre ushtarake për blerjet brenda unionit.

Por madhësia e forcave të armatosura, pajisjet ushtarake dhe niveli i shpenzimeve të mbrojtjes, nuk janë variablat e vetëm që duhen marrë parasysh. Në rastin e një konflikti në shkallë të plotë, qëndrueshmëria e infrastrukturës kritike (përfshirë atë dixhitale), gatishmëria e rrjetit së transportit dhe e popullatave të ndryshme për të mbështetur përpjekjet e luftës, do të jenë po aq, në mos më vendimtaret.

Është e besueshme se “operacionet e reja speciale” në Evropën Qendrore dhe Lindore do të ndodhnin vetëm nëse Kremlini do të mbizotëronte me vendosmëri në Ukrainë. Dhe ky rezultat duket i mundshëm, vetëm në rast se aleatët e Kievit nuk arrijnë të ofrojnë mbështetje të mjaftueshme ushtarake.

Nëse Forcat e Armatosura të Ukrainës rezistojnë gjatë këtij vitit, Rusia ka të ngjarë të detyrohet të vendoset në një pozicion mbrojtës, duke përjashtuar çdo perspektivë për angazhime të mëtejshme ushtarake.