Ishte pak para fillimit të mijëvjeçarit, kur revista britanike e biznesit The Economist erdhi në një konstatim shkatërrues për ekonominë gjermane. “Gjermania është The sick man oft the Europe – njeriu i sëmurë i Evropës. Asokohe tingëllonte si një thirrje zgjimi nga gjumi edhe për politikanët gjermanë, të cilët, ende të dehur nga vitet ekonomikisht të forta pas ribashkimit, kishin refuzuar çdo reformë. Tani sërish kjo shprehje po qarkullon kudo në Evropë, por kësaj here me një ndryshim. Vendin e Gjermanisë e ka zënë “gjysma” e saj tjetër, Franca. Shifrat e fundit alarmante mbi deficitin publik francez janë një paralajmërim për një situatë serioze që pritet të vijë. Në të vërtetë, kjo humnerë buxhetore në rritje kërcënon të minojë përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike. Si rezultat, masat e guximshme janë thelbësore për të çaktivizuar këtë bombë me sahat.
Parashikimi pesimist
Pierre Moscovici, ish-ministri francez i financave dhe president aktual i zyrës së auditimit atje, duhet të pranojë se gjendja e thesarit francez është në një gjendje të mjerueshme: sipas llogaritjeve të fundit nga tremujori i parë i këtij viti, qeveria në Paris shpenzon 5.5 % më shumë para se sa ka në të vërtetë dhe Franca, me 111.9% të borxhit kombëtar në krahasim me PBB-në, ka kaluar Spanjën (109.8%).Duhet pranuar se ky nuk është ende niveli i Italisë (140.6%) apo i Greqisë (165.5%), por nëse ky deficit i ekonomisë së dytë më të madhe në Evropë shikohet në shifra absolute, është një mal i tmerrshëm borxhi kombëtar. Franca këtë vit do të duhet të paguajë 57 miliardë euro, as për shlyerje, por vetëm për interesat e borxheve të akumuluara, që është tre herë më shumë se sa ishte në vitin 2021, shkruan DW.
Masat e nevojshme
Mund të jetë e nevojshme të mendohet për rritjen e taksave, veçanërisht pasi opozita franceze kërkon me zë të lartë një rritje drastike të taksave si për kompanitë ndërkombëtare ashtu edhe për super të pasurit. Kjo zakonisht tingëllon mirë për qytetarët dhe votuesit, edhe nëse kur konvertohen në euro dhe cent, këto shuma përgjithësisht nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpërdorimin e shtetit. Por edhe një rritje e tillë e taksave është hedhur poshtë kategorikisht nga ministri aktual francez i Financave, Bruno le Maire. Ai është “absolutisht kundër rritjes së taksave për qytetarët tanë,” tha ai në stacionin RTL. Por qeveria tashmë ka gati masa shtrënguese: ndihma zhvillimore do të “pezulloher”, mbështetja për rehabilitimin ekologjik të ndërtesave, ndihma për arsimin e mëtejshëm do të reduktohet.
Reduktimi i shpenzimeve
Zyra franceze e auditimit llogarit se shteti duhet të zvogëlojë shpenzimet e tij me të paktën 50 miliardë euro në vit, në mënyrë që të arrijë kufirin e përcaktuar të deficitit prej 3% të PBB-së në eurozonë të paktën deri në vitin 2027. Sigurisht që do të ishte më mirë të kursehej edhe më shumë për të shlyer një pjesë të borxhit kombëtar. Shteti francez ka në fakt shpenzime dukshëm më të larta se pothuajse të gjitha vendet e tjera në Evropë: ato përbëjnë 56% të PBB-së. Por është e lidhur ngushtë me kërkesat tashmë luftarake të sindikatave dhe punonjësve: le të kujtojmë luftën e vërtetë që u bë për reformën e pensioneve, edhe pse edhe me këtë pension “të ri”, francezët janë shumë më mirë se shumë pensionistë në Evropë.
Telashe për Macron
Në këto masa shtrënguese, ministri francez padyshim dëshiron të reduktojë shpenzimet e tjera të mirëqenies sociale, siç është mbështetja për të papunët – dhe është fare e sigurt që mund të ketë sërish protesta dhe trazira në rrugët e qyteteve franceze. Problemi është se “inflacioni” në këtë rast ishte rezultat i rritjes së çmimeve dhe jo i shtypjes së parave. Qytetarët me të vërtetë po shpenzojnë më pak dhe kompanitë po investojnë më pak, por ky është një proces me të cilin të gjitha vendet e eurozonës duhet të pajtohen. “Franca nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shikojë mirë se ku i shpenzon paratë e saj, dhe kjo do të jetë një çështje shumë e nxehtë politike edhe për presidentin francez Macron”, përfundon DW .