Sllovakia po përgatitet për zgjedhjet presidenciale sot, rezultati i të cilave, sipas analistëve, do të zbusë ose forcojë skepticizmin e anëtarëve të NATO-s dhe BE-së në lidhje me luftën në Ukrainë.
Sipas sondazheve, zgjedhjet do të rezultojnë në një duel mes aleatit pro-rus të kryeministrit dhe një diplomati liberal, i cili mund të veprojë si një lloj mburoje kundër qëndrimit të qeverisë ndaj Ukrainës.
Nga 11 kandidatët, favoritët janë ish-kryeministri dhe kryetari aktual i parlamentit Peter Pellegrini dhe ish-ministri i Jashtëm Ivan Korçok.
Pellegrini gëzon mbështetjen e kryeministrit Roberto Fico, i cili nuk dëshiron të dërgojë asnjë ndihmë ushtarake në Ukrainë, vë në pikëpyetje sovranitetin e vendit dhe bën thirrje për paqe me Rusinë.
Korçok është padyshim pro-ukrainas dhe ndan pikëpamjet e presidentes në largim Zuzana Čaputova, e cila kritikoi ashpër qeverinë dhe vendosi të mos kandidojë për një mandat të dytë.
“Në rast të fitores së Pellegrinit, ne mund të presim një forcim të pozicionit aktual të qeverisë dhe narrativës,” tha Michal Mislovič, një analist politik në agjencinë e sondazheve Median.
“Nëse Korçoku fiton, ne mund të presim që ai të jetë një kundërpeshë ndaj qeverisë dhe parlamentit në këtë drejtim,” tha ai.
Presidenti ratifikon traktatet ndërkombëtare, emëron kryetarët e drejtësisë, duke përfshirë presidentin e Gjykatës së Lartë si dhe është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura. Ai gjithashtu mund të vërë veton ndaj ligjeve të miratuara nga parlamenti.
Agjencitë e votimit parashikojnë një garë të ngushtë.
Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 6 prill.