MENU
klinika

Të dhënat e BSH

Fondi rezervë i shpenzimeve të rrezikut të sektorit bankar pësoi rënie gjatë vitit 2023

09.03.2024 - 12:22

Fondet rezervë të sektorit bankar për humbjet nga huatë dhe nga investimet e tjera pësuan rënie gjatë vitit 2023, çka tregon një ulje të rreziqeve të llogaritura për humbjet nga aktivet e investuara. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit dhjetor, gjendja e fondeve rezervë ishte 30.3 miliardë lekë, në rënie me 7.6% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse vlera e provigjioneve për humbjet nga kreditë u rrit, rënia e vlerës së provigjioneve totale u përcaktua nga ulja e fondit rezervë për humbje nga investimet (kryesisht letra me vlerë).

Fondi rezervë për humbjet nga huatë arriti në 24.4 miliardë lekë, me një rritje prej 7% krahasuar me të një vit më parë. Provigjionimi i kredive është rritur, megjithëse të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të lehtë gjatë vitit 2023. Raporti i kredive me probleme në dhjetor ra në 4.7%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.

Një ndikim të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme besohet se dha rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit. Ndërkohë, një përmirësim të ndjeshëm shënoi zëri i fondeve rezervë për investimet, që zbriti në 5.6 miliardë lekë, në rënie me pothuajse 43% krahasuar me fundin e vitit 2022. Viti 2022 u karakterizua nga një rritje e përkohshme e shpenzimeve për provigjionimin e instrumenteve të investimeve financiare, ndërsa ky zë vitin e kaluar ka pësuar rënie. Përballë rritjes së shpejtë të normave të interesit që uli vlerën e tregut të instrumenteve financiare të mbajtura në bilance, sektori reagoi duke zhvendosur një pjesë edhe më të madhe të këtyre instrumenteve drejt kategorisë “të mbajtura në maturim”, me qëllim minimizimin e impaktit nga ulja e normave të interesit.

Viti rezultoi mjaft pozitiv për performancën financiare të sektorit bankar, sidomos falë rritjes së rezultatit neto nga interesat. Rritja e normave të interesit deri tani ka dhënë një efekt më të madh në krahun e aktiveve, se sa në atë të pasiveve dhe kjo ka ndihmuar në rritjen e përfitueshmërisë së sektorit. Megjithatë, ruajtja e parametrave cilësorë të cilësisë së aktiveve ka luajtur gjithashtu një rol pozitiv në rezultatin financiar të sektorit bankar. Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar, sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes arriti vlerën e 32.5 miliardë lekëve, në rritje me 50% krahasuar me vitin 2022. Kthimi nga kapitali arriti në 17.26%, nga 12.3% që kishte qenë në vitin 2022. Kthimi nga aktivet u rrit në 1.99%, nga 1.36% që kishte qenë një vit më parë./ Monitor