MENU
klinika

"Baroni" i kokainës kyç gojën në seancë

GJKKO konfirmon “arrestin në burg” për Gëzim Çelën

09.03.2024 - 11:20

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Gëzim Çelën, i ekstraduar nga Kosova të enjten.
“Baroni i drogës” mësohet se ka kyçur gojën në seancë dhe nuk ka deklaruar asgjë.

Gëzim Cela ka nisur të shlyej edhe dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda më 7 dhjetor 2015. Në atë kohë Çela është dënuar për trafik droge me 10 vjet e 8 muaj burg. Për Çelën, SPAK ka të hapur edhe hetim për origjinën e pasurive të tij të ngritura, të cilat dyshohen nga trafiku i drogës.

Ndërkohë, mbrojta kërkoi arrest në shtëpi për Çelën me pretendimin se nuk prova, por GJKKO nuk e pranoi.

Çela u arrestua më 9 dhjetor në fshatin Dardani të Ferizajt nën shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria. Me të ishte dhe personi që e ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë.

Gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në të njëjtën shtëpi u gjet dhe sekuestrua një kallashnikov me 15 fishekë. 55-vjeçari, i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë, ishte shpallur në kërkim nga SPAK në operacionin “Flakë në Det” në 9 tetor 2023, pas disa muajsh hetime ku më 15 gusht u godit një grup kriminal që tentoi të shkëmbej lëndë narkotike në mes të detit.