MENU
klinika

Shpërthimi me dy viktima në kapanonin e deputetit Bujar Çela

Gjykata lë në burg sipërmarrësin Leonard Gjini

07.03.2024 - 17:10

Sipërmarrësi Leonard Gjini është lënë në burg nga Gjykata e Fierit, pasi akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda, pas shpërthimit në kapanonin ku humbën jetën babë e bir dhe mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre dhe deputeti i PS, Bujar Çela.

I arrestuari nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontrate të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.

Megjithatë gjykata e Fierit e ka mbajtur ne burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit te punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë ndërtimi. Ndërkohë avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore.

Kujtojmë se shpërthimi ndodhi më 1 mars, teksa një vinç ku ndodheshin dy viktima Roland dhe Elidon Hoxha, baba e bir, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime.

Babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.

Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputetit i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili ishte pronar i kapanonit që po ndërtohej.

Dëshmia e Leonard Gjinit:

Leonard Gjini ka deklaruar se nuk kishte dërguar asnjë punonjës në kapanonin e deputetit Çela dhe se nuk e kishte idenë çfarë punimesh po kryheshin.

Sipërmarrësi ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me punonjësit që ndodheshin aty dhe po priste momentin kur objekti të ishte gati për fillimin e punimeve.

Ai ka dëshmuar se lidhi kontratën me deputetin socialist, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga shpërthimi, në datën 27 nëntor dhe është konfirmuar për fillimin e punimeve më 10 shkurt.

“Është pyetur shtetasi shtetasi Leonard Gjini shpjegon se ka një biznes aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur ne daten 27.11.2023 ka lidhur një kontratë sipërmarje me shtetasin Bujar Cela ndërtim magazine e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr200 dt 19.09.2023 Objekti kishte një vlerë prej 17963280 lek e cila më datë 10.02.2024 është konfirmuar për fillimin e punimeve. Ai sqaron se për ngjarjen e ndodhur aty nuk lidhje me punonjësit dhe nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë, nuk ka dërguar asnjë punonjës apo të ketë bërë asnjë nënkontraktë për të kryer punimë në këtë objekt.

Pas daljes të lejes për fillimin e punimeve ai ka pritur momentin që do të ishte gati lirimi i objektit për fillimin e punimeve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

HETIMET E PROKURORISË

Nga hetimet e kryera dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Kjo avari ka bërë që një nga bombulat e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetilen ka shpërthyer duke shakaktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e shtate të tjerëvë dhe dëmtimin e objektit, banesavë dhe e bizneseve përreth.

Nisuar nga hetimet paraprake të kryera nën drejtimin e Prokurorise Prane Gjykates së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi, nga Bashkia Lushnje, në muajin shtator 2023 është miratuar leja ndërtimore për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme në emër te shtetasit Bujar Çela me afat 1 vjecar, por që pas aktit të konstatimit të datës 02.03,2024 nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit bashkia Lushnje ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje.

Për sa më sipër nga tërësia e materialeve hetimore të deritanishme rezulton se jemi para veprave penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë parashikuar nga neni 289/2 të Kodit penal, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia të parashikuar nga neni 161 i K.penal dhe ndërtimit të paligjshëm të parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal.