MENU
klinika

Nuk i justifikonte të ardhurat nga emigracioni

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Vlorës

13.03.2024 - 11:12

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Hektor Sinanaj.

Sipas KPK, gjyqtari Hektor Sinanaj i Gjykatës së Vlorës nuk kishte arritur të vërtetonte të ardhurat nga emigracioni dhe avokatia, që shërbyen si burim për pasuritë e tij si dhe kishte shqyrtuar rreth 180 çështje me palë avokatë apo ekspertë që kishin marrë me qira pronat e tij.

Gjyqtari Hektor Sinanaj i Gjykatës së Vlorës u përball të hënën më 11 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime të përmbledhura për bilancin negativ në vlerë të madhe si dhe për konstatimet për konflikt interesi.

Gjyqtari Sinanaj u shpreh se donte të fliste për disa akuza që i janë bërë dhe në media, që të mund të ‘shkarkohej’ prej tyre. “Dua t’ju bind se dhe në Evropë nuk e gjeni një gjyqtar si unë”, deklaroi Sinanaj, por kryesuesja Pine i bëri me dije se seanca nuk mund të vijonte derisa të shprehej trupa tjetër për kërkesën për përjashtim.

Bilanci negativ

Birn raportoi dje se Relatorja Faskaj renditi një sërë pasurish të subjektit për të cilat Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare. Sipas Faskajt, mbetej e paqartë se si gjyqtari Sinanaj kishte përfituar një sipërfaqe toke në vitin në 1992, pasuri për të cilën ka pasur konflikt civil me një palë tjetër, por të cilën më pas e ka fituar. Sipas KPK, mbetet i paqartë edhe fakti se përse kjo pasuri vijon të figurojë e regjistruar si karabina, ndërkohë që aty është ndërtuar një objekt që shfrytëzohet për aktivitete të ndryshme dhe dhënie me qira për zyra për avokatët apo ekspertët.

Faskaj tha se nuk janë konsideruar në analizën e kësaj pasurie të ardhurat e subjektit nga avokatia dhe nga emigracioni, pasi nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor. Për rrjedhojë është konstatuar pamundësi financiare për ndërtimin e objektit.

Balancë negative ka rezultuar dhe për një njësi shtesë kati, e legalizuar; për rikonstruksionin e një shtëpie të trashëguar nga nëna; për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2005 për çmimin 500 mijë lekë; për blerjen e një makine tjetër në 2013-ën për shumën 3500 euro; për krijimin e disa depozitave dhe gjendjen cash.

Si burime të pasurive, subjekti ka deklaruar të ardhura nga emigracioni në vitin 1992; të ardhura nga avokatia e si përmbarues; të ardhurat nga qiradhënia e njësive të objektit; nga paga si gjyqtar; si dhe të ardhurat e bashkëshortes nga kopshti privat.

Faksaj tha se në analizën financiare nuk janë konsideruar të ardhurat nga emigracioni e avokatia, ndërsa nga të ardhurat nga kopshti privat të deklaruara në vlerën 12.8 milionë lekë, janë përfshirë në analizë rreth 5.8 milionë lekë që janë konfirmuar nga tatimet.

Në analizën e përgjithshme financiare janë përfshirë dhe shpenzimet e djalit për shkollim në Gjermani, si dhe të ardhurat e përfituara prej tij nga puna atje. Po ashtu, janë përfshirë dhe shpenzimet për vajzën.

Sipas Faskajt, nga analiza financiare paraprake e përgjithshme, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 26.5 milionë lekë për periudhën 2003-2016. Po ashtu, për vitet e tjera që ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, 2000-2003, është konstatuar pamundësi në shumën e rreth 6 milion lekëve.

Sinanaj e cilësoi të padrejtë moskonsiderimin e të ardhurave nga puna e tij si avokat. Ai tha se ato të ardhura janë të konsiderueshme. Po ashtu, kërkoi të përfshihen edhe të ardhurat nga puna në emigracion, duke sjellë në vëmendje se kishte siguruar deklarime e foto që vërtetonin se ai kishte qenë emigrant ekonomik në Greqi në vitin 1992, për 7 muaj.

Sipas subjektit, me këto të ardhura kishte kryer rikonstruksionin e shtëpisë së vjetër të trashëguar prej nënës së tij nga gjyshi.

Lidhur me paqartësitë e KPK për sigurimin e truallit ku është ndërtuar objekti i dhënë me qira, Sinanaj tha se pas kalimit në sistemin pluralisht, me të drejtë avokatët ishin nxjerrë nga ambjentet e gjykatës dhe për rrjedhojë i ishte dhënë leje për të ndërtuar një zyrë, ku kishte vendosur fillimisht një kioskë. Ai tha se në atë periudhë e kishin ndihmuar shumë financiarisht të ardhurat nga emigracioni. “Në këtë ambjent bëmë në vitin 1998 një bilardo ku loznin të gjithë gjyqtarët, prokurorët e avokatët,” shpjegoi Sinanaj ndër të tjera.

Sipas subjektit, ai kishte pasur oferta për t’u bërë gjyqtar në vitet 1996 dhe 1998, por nuk kishte pranuar për shkak të pagës së ulët. Sipas tij, si avokat fitonte shumë më shumë dhe pasi kishte rregulluar bazën ekonomike të familjes, kishte vendosur të pranonte që të emërohej si gjyqtar në 2000-in. Ai shtoi se vendimin për t’u emëruar si gjyqtar e kishte marrë edhe pasi ishte hequr dënimi me vdekje në ’99-ën, me argumentin se nuk ishte dakord me atë lloj dënimi.

Për rikonstruksionin e kryer në një ndërtesë, ai shpjegoi se muret e objektit ishin lënë ashtu si kishin qenë. Sipas subjektit, çdo gjë është e dokumentuar dhe se burimet e çdo pasurie i ka të justifikuara.

Figura dhe profesionalizmi

Gjyqtari Hektor Sinanaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figures, ndërkohë, u evidentuan probleme në kriterin profesional. Sipas raportit të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, subjekti ka mangësi të njohurive ligjore; nuk zbaton vendimet unifikuese; nuk analizon ligjin, provat dhe rrezikshmërinë e veprës penale; se vendimet e ndërmjetme rrallëherë shoqërohen me referime ligjore. Po ashtu, konstatohen mangësi dhe në arsyetimin e vendimeve.

Në tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe në pesë të shortuarat, janë evidentuar dy raste kur subjekti ka gjykuar në kushtet e konfliktit të interesit.

Nga verifikimet e kryera nga Komisioni ka rezultuar se ndaj Sinanajt janë depozituar në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë 32 aneksa nga viti 2018. Për një prej rasteve, bazuar në ankesat e një shoqërie dhe një banke, ILD ka kërkuar në KLGJ caktimin e masës disiplinore të uljes së pagës me 40% për një vit. KLGJ ka pranuar pjesërisht kërkesën e ILD-së, duke dhënë “vërejtje publike”. Në seancë u relatua, se subjekti kishte vlerësuar në vendimarrjet e tij për denoncimet e kryera nga bankat ndaj huadhënësve, se kontratat e kredive duhej të ishin nënshkruar para noterit.

Subjekti pretendoi se raporti i KLGJ ishte tendencioz, pasi sipas tij, me një prej hartuesve kishte pasur kontradikta.

Lidhur me masën displinore, Sinanaj theksoi se u qëndronte vendimarrjeve të tij, që i cilësoi në favor të qytetarëve. Sipas tij, bankat që ishin palë në këto procese, jepnin kredi dhe brenda pak muajve merrnin interesa në vlera disa herë më të larta. Sinanaj shpjegoi se nga aktet e administruara në gjykime, kishte vërejtuar se këto përcaktime të interesave shumë të larta ishin të shënuara me shkrim të vogël, me qëllim që të futeshin në kurth kredimarrësit. “Për vlera të vogla, qytetarëve u merreshin edhe pronat,” tha ai.

Ndaj gjyqtarit Sinanaj janë depozituar në Komision 13 denoncime nga publiku. Faskaj tha se është konstatuar gjykim në kushtet e konfliktit të interesit, mungesë arsyetimi në një vendimarrje dhe zgjatje e një procesi për 3 vjet.

Në vijim, relatorja konstatoi se nga hetimi administrativ konfirmohet se subjekti ka shqytuar mbi 180 çështje, ku palë kanë qenë avokatët apo eskpertët që kanë marrë me qira zyra që gjenden në objektin e zotëruar prej tij. Kontratat e qiradhënies ka rezultuar se janë lidhur me subjektin deri në vitin 2007 dhe në vijim nga bashkëshortja e tij.

Sipas Komisionit, të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga qiradhënia e zyrave janë deklaruar si burim krijimi për pasuritë, duke rezultuar interes i subjektit nga qiraja e marrë prej avokatëve dhe ekspertëve që kanë qenë palë apo të thirrur në proceset e gjykimeve. Për rrjedhojë, konstatohet se duket se subjekti ka vepruar në këto gjykime në kushtet e konfliktit të interesit.

Subjekti e kundërshtoi këto konstatim, duke këmbëngulur se nuk nuk kishte pengesa ligjore. Sipas tij, avokatët dhe ekspertët nuk i kishte marrë ai në gjyq për interesat e tij, por ishin zgjedhur nga klientët apo caktuar për interesat e gjykatës.

“Pse paskam cënuar besimin e publikut, se paskam dhënë me qira një pronë qe e kam ndërtuar me sakrifica? Është revoltuar gjithë Vlora me qëndrimin që është mbajtur ndaj meje,” tha Sinanaj dhe solli në vëmendje një deklaratë që sipas tij është nënshkruar nga 80 avokatë që shprehen se ka punuar gjithmonë në zbatim të ligjit, etikës dhe me profesionalizëm.

Ai shtoi se mund të kishte bërë dhe divorc formal që pronat të jepeshin me qira nga bashkëshortja, por sipas tij nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, pasi nuk do t’i edukojë fëmijët në atë formë.

Sinanaj solli në vëmendje se kishte dhënë dënime me burgime të përjetshme kur kolegët e tij fshiheshin nga frika se mos vendosej eksploziv në ambjentet e gjykatës. Po ashtu, ai e cilësoi si besim të publikut, faktin se ndaj tij ishin depozituar vetëm 13 denoncime, ndërkohë që kishte shqyrtuar rreth 20 mijë çështje për më shumë se dy dekada.

Lidhur me denoncimet në media, subjekti tha se para tij, për atë çështje ishin sulmuar me të padrejtë dhe gjyqtarët e tjerë që e kishin shqyrtuar.

Në përfundim, gjyqtari Hektor Sinanaj pohoi se megjithëse donte dhe dy vjet të dilte në pension, donte që edhe këtë periudhë t’ia kushtonte profesionit të tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Sipas tij, një nga arsyet për të vijuar është dhe nevoja që kanë gjyqtarët e rinj për përvojën e më të vjetërve.