MENU
klinika

Analiza

Kur perandoritë e plagosura ngrihen dhe kërkojnë hakmarrje

27.03.2024 - 13:08

Bota është në pritje për gjëra edhe më të këqija. Sulmi terrorist në Moskë është i rrezikshëm, duke pasur parasysh kohën dhe objektivat e tij. Autorët vepruan ndryshe nga ISIS. E gjithë e vërteta mund të mos dalë kurrë në shesh, sidomos nëse rrëfimet manipulohen nga shërbimi sekret rus, siç dyshohet se po ndodh.

Njëherë një burrë me shumë përvojë më këshilloi:”Kur shkruan për krizat aktuale, mos i harro plagët e historisë!”. Unë u ndala dhe reflektova gjatë mbi këtë këshillë. Miku im bota beson se po shkon drejt një faze të re e të rrezikshme.

Pra sot sipas tij jemi në një botë ku superfuqia e vetme po e humbet hegjemoninë e saj, dhe  kur perandoritë e së shkuarës po synojnë të hakmerren përmes komploteve, të cilat do të ndryshojnë hartat dhe shpërndarjen e pushteteve.

Po ashtu ai ka bindjen se këto puçe do të marrin forma të ndryshme, si pushtime ushtarake apo ideologjike, sulme me dronë, raketa dhe kibernetike, si dhe sponsorizim të milicive. A janë rihapur plagët e perandorive, të cilat besojnë se historia u ka bërë padrejtësi?

A kanë këto perandori “vullkane të fjetura”, të cilat presin momentin e duhur për të shfryrë tërbimin e tyre? Ai më kujtoi atë që më thanë disa udhëheqës komunistë arabë menjëherë pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Mohammed Ibrahim, Aziz Mohammed dhe George Haëi, përkatësisht Sekretarët e Përgjithshëm të partive komuniste sudaneze, irakiane dhe libaneze, më thanë asokohe se Rusia nuk do të lëngojë nën hirin e disfatës dhe as do të bëhet një shtet i nënshtruar.

Përkundrazi ajo do të rigrupohet, do të ringrihet dhe do të kërkojë hakmarrje. Disa analistë kanë thënë se institucionet ruse ushtarake dhe të sigurisë, të cilat ishin aq shumë të tronditura kolapsi i BRSS dhe nga fitorja e Perëndimit, organizuan një hakmarrje të fshehtë dhe ngarkuan një oficer të vogël të KGB-së për ta zbatuar atë.

Who's Who in the Fight Against ISIS? | FRONTLINE

Unë nuk e mbroj këtë teori pasi nuk i kam qejf skenarët e ekzagjeruar. Por shumëkush ka të drejtë të mendojë se një Rusi e plagosur, po jeton tani nën sundimin e një Cari të fyer, që po drejton projektin më të madh të komplotit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Lëreni për momentin mënjanë sulmin terrorist që goditi Moskën të premten e shkuar:Kjo masakër e tmerrshme nuk do të lëkundë pozitat e Vladimir Putinit. Ai sapo është rizgjedhur president me një fitore të gjerë, në një shkallë të cilën Biden, Trump, Macron dhe Scholtz vetëm mund ta ëndërrojnë.

Unë jam i vetëdijshëm që Perëndimi ka deklaruar se Cari i ka përshtatur zgjedhjet në një mënyrë të tillë, që të garonte pa një konkurrent serioz përballë. Por unë besoj se Putini ia doli që të lidhej me thellësinë e shpirtit rus. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, unë pashë të moshuarit në Moskë që ishin shumë nostalgjikë për kohën e Stalinit.

Rusët e duan sundimtarin e dorës së fortë, edhe nëse kjo nënkupton vrasje të pamëshirshme. Ata që e njohin Putinin, besojnë se ai nuk mund të tolerojë humbjen në Ukrainë, edhe nëse kjo do të thotë të shkojë në prag të një lufte bërthamore.

Dhe ata mund të ketë të drejtë. Putin e di se një disfatë në Ukrainë mund ta çojë Rusinë në një kolaps të ngjashëm me atë që pësoi Bashkimi Sovjetik. Duhet mos harruar edhe imazhi i tij në histori. M’u kujtua ajo që më tha dikur një nga miqtë e Sadam Huseinit.

Sipas tij dështimi i udhëheqësit irakian për t’u tërhequr nga Kuvajti, ishte gjithashtu i lidhur me imazhin e tij para historisë dhe para miqve të tij në Bagdad. S’ka dyshim se pushtimi i Ukrainës është i ndryshëm nga pushtimi i Kuvajtit. Edhe liderët janë e ndryshëm.

Por përvoja ka treguar se ndonjëherë “udhëheqësi historik” bëhet i burgosur i imazhit të tij. Miku im më pyeti se përse Perëndimi refuzon të bashkëjetojë me komplotin e Putinit në të njëjtën mënyrë siç po bashkëjeton ende me komplotin e kryer nga Irani. Ai tha se ky i fundit ndryshoi tiparet e 4 hartave dhe balancat e fuqisë brenda tyre.

Ai i dha Teheranit të drejtën të emëronte ministra, të formonte qeverinë dhe të lëshonte raketa. Dhe vuri në dukje se SHBA-ja po pësonte sulme të llogaritura nga milicitë Houthi, të cilat e kanë detyruar atë t’i japë Kinës dhe Rusisë leje që anijet e tyre të lundrojnë të sigurta në Detin e Kuq.

Dekada më parë, shahu i Iranit i shihte kufijtë e vendit të tij si një mantel shumë të ngushtë për të mbajtur trashëgiminë e perandorisë së tij. Revolucioni i Khomeinit, i cili e përmbysi Shahun, e bëri “eksportin e revolucionit” një nen kryesor të Kushtetutës.

Change in ISIS Threat Means Evolution in Long-Term U.S.-Iraq Relationship >  U.S. Department of Defense > Defense Department News

As Stambolli nuk është privuar nga plagët e historisë. Presidenti Recep Tayyip Erdogan i sheh kufijtë aktualë të Turqisë si një mantel të ngushtë që e ka mbytur shpirtin osman. Prandaj, ai është përpjekur të joshë jetimët e Bashkimit Sovjetik, veçanërisht turqisht-folësit. Po ashtu, ai u përpoq të ndryshonte tiparet e vendeve të mëdha në rajon kur shpërtheu Pranvera Arabe. Turqia krenohet me një histori të gjatë luftërash me perandorinë perse dhe atë ruse. Tani, ajo po i hap rrugën një “brezi sigurie” brenda Irakut dhe një tjetër brenda Sirisë, ndërsa Perëndimi i mohon Rusisë të drejtën për të krijuar brezin e saj në territorin ukrainas.

Këtu duhet bërë dallimi midis një brezi që rikthen tokën, dhe një tjetri që nuk e bën këtë. Edhe Kina po vuan nga plagët e historisë. Ajo ka qenë e vendosur në qasjen se Tajvani nuk mund të largohet prej saj përgjithmonë, dhe Pekinit po i soset durimi.

Bota është më fat që udhëheqësi kinez Xi Jinping po mbështet tek aleati ‘kohë’, dhe në dallim nga Putin, nuk ka nisur ende një fushatë të gjerë pushtimesh për të rregulluar kufijtë e vendit të tij. Në xhunglën aktuale ndërkombëtare, kaosi i perandorive është i frikshëm. Perëndimi nuk është më i aftë që ta menaxhojë botën. Xhandari global e ka braktisur detyrën ndërsa perandoritë të plagosur janë ngritur në këmbë dhe duan shpagim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është de fakto jashtë funksionit, dhe lotët që derdh Sekretarit i Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres para kamareve nuk mund të shërojnë dot plagët  e panumërta në Gaza apo Ukrainë.

Bota është në pritje për gjëra edhe më të këqija. Sulmi terrorist në Moskë është i rrezikshëm, duke pasur parasysh kohën dhe objektivat e tij. Autorët vepruan ndryshe nga ISIS. E gjithë e vërteta mund të mos dalë kurrë në shesh, sidomos nëse rrëfimet manipulohen nga shërbimi sekret rus, siç dyshohet se po ndodh.

Nëse teoria për lidhjet e sulmit me Ukrainën do të jetë e vërtetë, atëherë ky sulm do të shënojë një pikë kthese. A mund t’i hapë ai rrugën një përshkallëzimi masiv të luftës në Ukrainë. A mund ta tolerojë Perëndimi fitoren e Moskës?

A mund ta gëlltisë Evropa një pilulë kaq të madhe e të hidhur? Po Rusia dhe zotërit e  Kremlinit, nëse Perëndimi vendos që ta zgjasë luftën në Ukrainë, dhe t’i shkurtojë kthetrat e perandorisë së re dhe të Carit të saj?

Burimi: “Arab News”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e Project Syndicate

A e ka humbur Putini Rusinë?